Spitali i Traumës u vendos në qendër të diskutimit pas denoncimit të një qytetari holandez, Ton Daans, ish-këshilltar i ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj për sistemet e riedukimit, i cili i shkroi një letër të hapur kryeministrit Edi Rama. Ai tha se ishte rrëzuar në një nga trotuaret e Tiranës dhe ka pësuar fraktura, për të cilat ka marrë mjekim në Spitalin e Traumës. Ai pretendon se kur ka shkuar dy ditë më vonë në vendin e tij, në Holandë, mjekët janë shokuar nga ekzaminimet e kolegëve shqiptarë. Për këtë ngjarje, ka reaguar Spitali Universitar i Traumës, që pretendon se pacienti mori të gjitha shërbimet në standardin e duhur.

Por çfarë ndodh me të vërtet në këtë Spital? A ka patur përmirësim të infrastrukturës, përveç lyerjes që iu bë para disa vitesh?

Gazeta “ProPacientit” ditën e sotme bëri një monitorim pranë “Spitalit Universitar të Traumës”. Nga ky monitorim vihet re që kushtet higjenike lënë për të dëshiruar. Në tualetet e personelit shëndetësor, ambientet e brendshme janë gati të rrënuara ( me tavane të çara dhe të rënë). Ndërkohë, në tualetet e dhomave të pacientëve mungon uji në rubineta, duke detyruar familjarët të gjejnë zgjidhje alternative përmes përdorimit të bidonave 5 kg. Gjithashtu, edhe pajisjet hidrosanitare janë jashtë funksioni.

Spitali i Traumës është investuar vitet e fundit, ku në kohën e ministrit Ilir Beqaj u investuan 500 milionë lekë për ndërhyrje në infrastrukturë, rikonstruksion mjedisesh, të shoqëruara me 200 milionë lekë të tjera pajisje mjekësore; 50 milionë (lekë) pajisje të tjera ndihmëse, domethënë 750 milionë me të cilat u premtuar se do të kishim në këtë spital, një Fizioterapi më të mirë, më të kompletuar dhe më efiçente, një mjedis më optimal për të administruar barnat dhe materialet mjekësore, por edhe një mjedis pritës, informues, dinjitoz, qoftë për ata që vijnë si pacientë për vizitat ambulatore.

https://youtube.com/shorts/LTTA6irL3iY?feature=share

 

Monitorimi për ProPacientin u krye nga : Marsida Bregasi

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re