Qeveria britanike shpenzoi 161.7 milionë paund (204 milionë dollarë) për funeralin shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth, njoftoi të enjten Thesari.

Pasi mbretëresha Elizabeth vdiq më 8 shtator në moshën 96-vjeçare, në vend u shpallën dhjetë ditë zie, e cila përfundoi me funeralin më 19 shtator.

Rreth 250,000 njerëz vizituan trupin, i cili ishte ekspozuar në Westminster Hall, për t’i bërë nderimet e tyre mbretëreshës më jetëgjatë.

“Prioriteti i qeverisë ishte që ngjarjet në lidhje me funeralin të shkonin pa probleme dhe pa pengesa dhe me një dinjitet të duhur, ndërkohë që siguria e qytetarëve të garantohej në çdo kohë”, shkruante në një letër ministri i Financave John Glen.

Shumica e parave, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë

Ministria e Brendshme, përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe sigurisë kombëtare, mori pjesën më të madhe të parave, 73.7 milionë funte.

Policia e qytetit të Londrës ka vendosur numrin më të madh të oficerëve ndonjëherë në rrugë, duke thënë se ky ishte operacioni i tyre më i madh i sigurisë në histori.

Në funeral u mblodhën shumë liderë dhe monarkë botërorë.

Siguria e policisë ishte më e rëndë se në Lojërat Olimpike të vitit 2012 dhe festimet e Jubileut Platinum të Mbretëreshës. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re