Ish-deputetja e Partisë Socialiste Mimoza Hafizi ka vendosur të kandidojë për Rektore të Universitetit të Tiranës.

Njoftimin për kandidimin e ka dhënë vetë Hafizi përmes një postimi në facebook.

“Pas vendimit të beftë të ministres së arsimit për hapjen e fushatës zgjedhore në universitete, mbrëmë depozitova kandidaturën për Rektore të Universitetit të Tiranës”, shkruan Hafizi.

Në reagimin e saj, Hafizi shprehet se vendimi i beftë i ministres së arsimit “duket se i shkon përshtat shmangies së kandidaturave konkurruese, përderisa krijon mundësinë që procesi i kandidimit të mbyllet po aq papritur sa dhe vendimi i saj”.

POSTIMI:

“Pas vendimit të beftë të ministres së arsimit për hapjen e fushatës zgjedhore në universitete, mbrëmë depozitova kandidaturën për Rektore të Universitetit të Tiranës.
Hapja e fushatës zgjedhore në situatën e emergjencës shëndetësore që po kalon vendi, e po kështu dhe universitetet, është një nga aktet e paskrupullta të kësaj qeverie. Shumë pedagogë e kanë quajtur ‘thikë pas shpine’ ndaj nesh, botës akademike.

Por kjo është vetëm thika e rradhës, që mjedisi ynë pëson nga politika. Zgjedhjet në datën 30 korrik, me studentët larg dhe me pedagogë në periudhë pushimesh, mund të kenë vetëm nje qëllim: shmangien e trupës zgjedhore nga procesi.

Zgjedhjet në mungesë të nje fushate normale komunikimesh, diskutimesh e debatesh, do të lenë gjatë shijen e hidhur të një procesi të parregullt.

Vendimi i papritur i ministres duket se i shkon përshtat shmangies së kandidaturave konkuruese, përderisa krijon mundësinë që procesi i kandidimit të mbyllet po aq papritur sa dhe vendimi i saj.

Por, a duhet ulur koka?

A duhet lenë prapë Universiteti i Tiranës nën influencën e të njëjtit klan, që ‘lidh e zgjidh’ prej njëzet vitesh fatet e tij, sipas interesave abuzive dhe meskine të një grupi njerëzish mediokër?

Nje klan që ka ‘lidhur nyje’ aspiratën dhe frymëmarrjen e bashkësisë më të madhe intelektuale që ka Shqipëria, në konflike pa sens e pa fund. Një klan që i ka zvjedhur pedagogët me universitetin e tyre.

Unë vendosa të bëj rezistencën time. Vendimi im qe i shpejtë, për të shmangur përjashtimin nga gara, por i menduar gjatë dhe i frymëzuar nga shumë kolegë të nderuar, të cilët janë aty, në universitet, por veç e veç ndjehen të pafuqishëm përballë së keqes që po na ve tëposhtë.

Bashkë besoj se e mundim këtë të keqe!”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re