
Në ditën e 14-të protestes se tyre, minatorët e Spaçit kanë zbritur sërish në para dyerve te fabrikes se bakrit ne Spac te Mirdites per te vijuar bojkotin e punes deri ne plotesimin e kerkesave qe kane paraqitur. Edhe pse reshjet e dendura e kanë bërë të vështirë qëndrimin në terren, dhjetëra prej tyre janë mbledhur që në orët e para të mëngjesit përpara hyrjes së minierës, duke kërkuar zgjidhje.
Edhe pas takimit të zhvilluar me perfaqsues te Ministrise se Ekonomisë, nuk u arrit asnjë marrëveshje duke bere qe situata e minatoreve ne Spaç te mbetet e tensionuar. Ata thonë se janë të vendosur të mos rikthehen në punë pa u plotësuar kërkesat e paraqitura.
Protestuesit kërkojnë nga kompania Tete Albania rritjen e pagave, sigurimin e mjeteve mbrojtëse në punë dhe rishikimin e skemës së sigurimeve shoqërore. Ata theksojnë se puna në galeritë e thella mbetet e rrezikshme, ndërsa kompensimi financiar është minimal.
Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë ka deklaruar se është e gatshme për te vijuar dialog, por deri tani palët nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët. Protestuesit paralajmërojnë se do ta përshkallëzojnë reagimin nëse kërkesat e tyre vazhdojnë të injorohen.
Në Spaç, situata vijon te mbetet e pazgjidhur me minatoret qe kërkojnë jo vetëm përmirësim ekonomik, por edhe dinjitet për një profesion që prej dekadash ka mbajtur në këmbë industrinë e nëntokës shqiptare.
