Minatorë dhe ish-minatorë kanë protestuar sot në qytetin e Bulqizës, duke kërkuar miratimin e statusit, një premtim që sipas tyre, vijon të mos mbahet për më shumë se tre dekada.

Protestuesit shprehen se pensionet e invalidëve janë qesharakë dhe kushtet e punës në minierën e kromit, të mjerueshme.

“Që nga viti 1991 politikanët e kanë premtuar miratimin e statusit të minatorit dhe akoma nuk është përmbushur. I kërkoj Lindita Nikollës që të ngrejë grupin e punës dhe ta miratojnë se e kanë për detyrë. Kushtet e punës janë të mjerueshme, nuk krahasohen as me Afganistanin që është në luftë. Minatori akoma sot merr bukën me vete në gazetë, nuk ka vagona 03 dhe as kushte të tjera.”

“Si bashkëvuajtësit më të mëdhenj që janë qytetarët e Bulqizës, kërkojmë me domosdoshmëri nga qeveria që të na japë statusin e minatorit. Jemi në vitin 2024 dhe nuk është vënë uji në zjarr.”

“Kam statusin e invalidit të plotë, kam humbur krahun dhe syrin përnjëherë…marr një pension qesharak, 260 mijë lekë, jam vetë i shtatë në familje. ”

Për shkak të vështirësisë së punës, statusi i minatorit, ende i pamiratuar, parashikon lehtësira që lidhen krysisht me shumën e pensionit, pagës minimale si dhe rimbursimin e shpenzimeve shëndetësore./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re