Minatori 61 vjeçar Muharrem Plaku prej 3 ditësh tashmë gjendet i bllokuar nën galerinë e minierës së Bulqizës. Ekipet e shpëtimit ende nuk kanë mundur të bëjnë diçka për ta nxjerrë. Ndërkohë që janë angazhuar edhe punëtorët e tjerë për shpëtimin e tij.

Ndërkohë , ka ardhur reagimi i parë nga partia Demokratike për këtë rast. Anëtarja e Kryesisë, Dhurata Çupi Tyli, me anë të një statusi në rrjetin social ‘facebook’ ka shprehur se lutej që minatori të nxirrej i parë sa më shpejt. Ndërsa për incidentin e ndodhur, bën përgjegjëse qeverinë që nuk ka marrë masa për sigurinë e punëtorëve në punë.

Postimi i Plotë nga Dhurata Çupi Tyli

Muharrem Plaku, 61 vjeç, ka mbi 48 orë që ka humbur kontaktet me kolegët minatorë, familjarë, brenda një minierë në Bulqizë.

Lutemi që të dalë nga nëntoka e pasur që mban mbi tokë mijëra të varfër për shkak të keqeverisjes, abuzimit dhe korrupsionit masiv me pasurinë Kombëtare.

Gjatë 8 viteve që kaluara janë me dhjetra minatorë që kanë humbur jetën, që janë plagosur në miniera për shkak të babëzisë së pa fre, për shkak të abuzimeve me pasurinë e nëntokës.

Korrupsioni me lejet e shfrytëzimit të minierave fillon në Tiranë, në zyrat me vula shtetërore dhe mbaron në zgavrën e korrupsionit në Bulqizë.

Minatorët janë të braktisur si asnjë herë më parë. Familjet që kanë humbur kryefamiljarin në galeritë e vdekjes janë në hall të madh. Mbijetojnë në varfëri. Lista e borxheve të familjeve të minatorëve shtohet nga dita në ditë.

Qeveria ka hequr dorë nga përgjegjësia sociale për tju siguruar minatorëve kushte pune të sigurta, një pagë të merituar dhe një pension me dinjitet. Statusi i Minatorit është një mirazh. Në programin e qeverisë nuk kishte asgjë për ta, ashtu siç nuk kishte për 8 vite më parë.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re