26 maji është një datë që për shumë të rinj dhe të reja të kohës së sotme nuk thotë ndonjë gjë të veçantë.

Por për brezin që jetoi periudhën e diktaturës dhe atë të fillimeve të demokracisë, kjo datë është simboli dëshpërues i një dështimi të pamenduar dhe të paimagjinuar. Sidomos për ata dhjera mijëra studentë dhe qytetarë që të tubuar në sheshin e Qytetit Studenti kërkonin në fillim – vitet ‘90 një Shqipëri demokratike dhe europiane.

Është një datë që të kujton një ngjarje tejet të rëndë në historinë e re të demokracisë shqiptare.  Është dita e vrarjes së shpresave. E një zhgënjimi total ndaj ëndërrave  dhe gëzimit të papërshkruar  të ngjallur 4 vjet më parë. E fillimit të minimit të demokracisë së brishtë në Shqipëri.

Si sot 25 vjet më parë, më 26 maj 1996, në Shqipërinë e sapo dalë nga varfëria dhe shtypja e regjimit komunist, u vodhën dhe u përgjakën votimet e para të udhëhequra dhe të organizuara nga Partia Demokratike.

Nga partia e studentëve dhe intelektualëve të shquar të fillim viteve ‘90 që ëndërronin për një Shqipëri të begatë dhe demokratike.

Ku njerëzit të kishin të drejtën të zgjidhnin udhëheqësit e tyre, të kritikonin, të shfaqnin hapur atë që ndjenin pa pasur frikë se « gazi » i policisë do u trokiste në mes të natës në dyert e shtëpisë për tu kumtuar thirrjen e tmerrshme : »Në emër të popullit je i arrestuar » !

Por qytetarët shqiptarë kishin kohë që kishin filluar ta ndjenin se diçka nuk po ecte si duhet në këtë vend. Shqipëria po kthehej përmbys në të gjitha drejtimit në emër të gjoja të luftës kundër komunizmit.

Me e shëmtuara ishte se në krye të kësaj fushate gjendej një ish-komunist fanatik  me një karrierë 25 vjeçare në gjirin e Partisë së Punës !

Ndërsa ish të dënuarit politikë që kishin dalë nga zgafellat e regjimit të Hoxhës po mbanin një qëndrim  tejet dinjitoz. Askush prej tyre nuk po kërkonte revansh apo gjak.

Por ishin disa ish persekutorë që  siç duket donin të lanin shpirtin që e udhëhiqnin këtë përmbysje. Jo vetëm të regjimit. Por të gjithë shtetit dhe shoqërisë.

Zhgënjimi i njerëzve pas 4 vjet drejtimi të vendit nga Partia Demokratike ishte ndjerë deri « lart ».

Pas fitores vërtet plebishitare dhe marramëndëse të 22 marsit 1992,  PD-ja e drejtuar nga Sali Berisha pësoi dy humbje të njëpasnjëshme. Brenda një kohe relativisht të shkurtër.

Zgjedhjet lokale dhe referendumin kushtetues presidencial !

Ishin këmbana që binin për atë që kishte veshë! Dhe Sali Berisha e kapi sinjalin. Duket se ai u bind se jo vetëm nuk do të fitonte shumicën absolute në këto zgjedhje, por ndofta mund të humbiste edhe shumicën e thjeshtë.

Prandaj gjithë pushteti i kohës u mobilizua për t’i fituar zgjedhjet e reja me hir ose me pahir. Me mjete të ligjshme dhe të paligjshme. Kësaj rradhe nën petkun e rrezikut të kthimit të komunizmit në vend.

I cili kishte dhënë shpirt që para marrjes së pushtetit nga PD-ja !

Dihet se si shkuan ngjarjet më pas. Opozita socialiste, e trembur para « ortekut » demokrat u tërhoq nga procesi zgjedhor.

Udhëheqësit e saj dolën në sheshin « Skënderbej » për të protestuar kundër manipulimit dhe grabitjes së votave. Pushteti « demokratik » , nxorri policët në shesh. Opozita u përgjak.

Një valë pezmatimi dhe indinjate përshkoi vendin.

Por pushteti i atëhershëm gaboi thellë pasi nuk kuptoi se nuk ishte më koha e Enver Hoxhës. E Shqipërisë së mbyllur ku nuk lëvizte as miza.

Shqipëria ishte hapur. Përfaqësues të organizmave ndërkombëtare dhe diplomatë të shumtë ishin prezent në vend.

 Po ashtu shumë gazetarë vendas dhe të huaj ishin të pranishëm në sheshin « Skënderbej » atë ditë kur policët u sulën me shkopa gome ndaj një grupi opozitarësh të vetmuar !

Gabim trashanik. Sjellje prej njerëzish të rritur dhe edukuar në sistemin diktatorial.

Nuk ishin vetëm shqiptarët që u zhgënjyen dhe u tmerruan kur panë policët që rrihnin në mes të sheshit drejtuesit e opozitës. Por edhe diplomatët dhe gazetarët e shumtë që po ndiqnin këto zgjedhje, të cilat ndofta do t’i hapnin Shqipërisë rrugën për në Europën e Bashkuar.

Dhe aq të ëndërruar.

Përfaqësuesit perëndimorë në Shqipëri, të rritur dhe të edukuar me standartet demokratike të vendeve të tyre, nuk mund ta kuptonin « furinë » zëmërake të regjimit ndaj kundërshtarëve të tyre ideologjikë. Qoftë edhe në mbulesën e « luftës kundër komunizmit » !

Dhe reagimet e tyre ishin tejet të ashpra dhe tronditëse.

Ishte goditja e parë e madhe që i vinte regjimit të Berishës nga jashtë.

Që u pasuan nga të tjera.

E fundit i erdhi përfundimisht pak ditë më parë nga sekretari amerikan i shtetit!

Edhe titujt dhe dëshmitë e shtypit të huaj të asokohe ishin dërrmues.

Ato dëshmonin se zgjedhjet e lira dhe të drejta janë abc-ja e demokracisë.  Se kushdoqofsh dhe pavarësisht maskës me të cilën paraqitesh, organizmi dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta është kushti “sine qua non” i pranimit në gjirin e familjes të Europës së Bashkuar.

Gazetari britanik Endrju Gambell ishte nga të parët që vuri re në atë kohë se edhe Shtëpia e Bardhë nuk ishte e kënaqur nga mënyra se si u zhvilluan ato zgjedhje.

“Shumë vende europiane si Italia, Gjermania dhe Britania e kanë mbështetur pa rezerva  pushtetin e Berishes gjatë këtyre 4 vjetëve, pavarësisht nga shenjat e dukshme të një autoritarizmi personal gjithnjë në rritje.

Diplomatët e huaj të akredituar në Tirane na e bënë të qartë se vendet e tyre, pasi të bënin pak naze, ishin më të predispozuara ta pranonin përfundimin e zgjedhjeve, për të siguruar interesat e tyre ekonomike dhe strategjike në Shqipëri, sesa të merreshin me zhvillimin e demokracisë, apo të kritikonin shkeljet e të drejtave të njeriut dhe proceset e mbrapshta demokratike në këtë vend.

Por kjo tolerancë europiane nuk mbështetet më nga qeveria amerikane, e cila pasi kishte qënë një nga përkrahësit e tij të parë, me kalimin e kohës është tërhequr, aq sa javët e ardhshme ajo parashikon t’i fusë gërshërën edhe disa projekteve investimash dhe ndihmash në Shqipëri”- vërente te “The Independent”, analisti Andrew Gumbel.

Edhe gazeta amerikane “Herald Tribune” pyeste veten nëse Perëndimi duhej t’i njihte këto zgjedhje apo jo!

Ajo konstatonte se ndërsa partia demokratike po festonte atë që ajo e konsideronte si një fitore të madhe, vëzhguesit e huaj ishin në mëdyshje nëse duhet t’i njihnin këto zgjedhje si të ligjshme apo jo, aq shumë të meta dhe parregullsi  ishin vërejtur!

“Në Shqipëri zgjedhjet ishin të rreme”,- pohonte në mënyrë kategorike asokohe gazeta italiane “La Republica” .  Raporti zyrtar i vëzhguesve europianë akuzon Berishën,- nënvizonte Piero Benetazzo.

I cili më poshtë shtonte se 54 vëzhguesit europianë të OSBE-së e thyen heshtjen dhe treguan hapur se çfarë kishin parë.

“Kur arritëm në qendrën 76 të zonës së Lushnjës, rrëfente njëri nga vëzhguesit italianë,  ishte ora 10 e mëngjezit, por qendra e votimit ishte mbyllur, sepse sipas thënieve të drejtuesve demokratë të gjithë kishin votuar. Por jashtë qendrës një grup njerëzish po protestonin. Atëhere e ndërruan gënjeshtrën  dhe na thanë se formularët e votimit mungonin pasi ishin vjedhur dhe hajduti kishte ikur nga dritarja. Por dritarja ishte e zënë me hekura?! Atëhere drejtuesit e qendres vajtën dhe u ankuan për ne te kryetari i zonës zgjedhore. Ai na u afrua, hapi ngadalë xhaketën për të na treguar pistoletën që mbante në brez dhe pastaj na “spjegoi” se ne të huajt duhet të ia dimë për nder Berishës që po na mbron nga vërshimet e klandestinëve nga Shqipëria” !

“Keq për Berishen, keq për Perëndimin”, – e titullonte vëzhgimin e saj  e përjavshmja e njohur britanike “The Economist”  pas përfundimit të zgjedhjeve. « Duke dëmtuar zgjedhjet në Shqipëri, Berisha nuk goditi vetëm vendin e tij, por gjithashtu edhe Perëndimin, i cili kishte investuar shumë besim te ai » – vinte re me keqardhje « The Economist ».

Ndërsa shtypi francez dukej se merrej më shumë me rolin dhe karakterin e Berishës gjatë atyre zgjedhjeve:-“Berisha ngjitet në tribunë si boksieri në ring. Ai çirret, ulërin, bërtet, derisa i ngjirret zëri, ngre duart drejt qiellit dhe u drejtohet perkrahësve të tij me fjalët:”Ju dua kaq shumë të gjithëve”,- nënvizonte e përditshmja franceze  “Le Figaro”.

Edhe gazeta më e madhe italiane,”Corriere della Sera” duke komentuar zgjedhjet e 26 majit 1996 në Shqipëri shkruante asokohe me gërma të mëdha:”Në qëndrën e votimit me kobure në brez”. “Simboli i këtyre zgjedhjeve mund të konsiderohet sekretari demokrat i zonës së votimit nr 74 që sillej nëpër qendrat e votimit me kobure në brez, e mjaftueshme kjo per t’i ndërruar mëndjen kujtdo që do të vinte në dyshim ligjshmërinë e këtyre votimeve”,- vinte në dukje me qesëndi Luigji Ipolito në atë gazetë.

Një tjetër e përditshme e njohur franceze,”Liberation”, duke analizuar rolin e Berishës gjatë asaj fushate vinte në dukje se : ”Berisha është rritur dhe formuar nën një sistem autoritar, i bazuar në pushtetin e një njeriu. Dhe ai tani po sillet njëlloj si paraardhësit e tij. Por Berisha i mbush mendjen vetes se është demokrat, pasi lejon disa gazeta opozitare ta kritikojnë. Ky është koncepti i tij për demokracinë”.

“Zgjedhjet në Shqipëri mund të konsiderohen çdo gjë, por vetëm zgjedhje të lira jo”,- shkruante me indinjatë në të përditshmen tjetër italiane “La Stampa”  njëri nga 54 vëzhguesit e OSBE-së.

“Demokracia u tradhtua në Shqipëri”,- nënvizonte asokohe me gërma të mëdha  edhe e përditshmja e njohur britanike “The Independent”.

Ndërsa gazeta tjetër e njohur në gjuhën angleze « The Guardian »  vinte në dukje në artikullin e saj, as më shumë dhe as më pak se “Shqipëria gjëndej përballë një diktature të re » !

Në një tjetër gazetë italiane, “Il Sole 24 ore”, Elena Raguza tregonte se çfarë ajo kishte parë të dielën më 26 maj në Tiranë:”Kuti votimi që ishin mbushur që në ora 7 të mëngjesit, ende pa filluar votimet, me skeda në favor të Partisë Demokratike. Zgjedhës që hidhnin në kutitë e votimit, jo një, por dhjetëra skeda të parapërgatitura, qendra votimi të ngritura në shtëpitë e anëtarëve të partisë demokratike e të tjera. Këto ishin zgjedhjet e 26 majit në Shqipëri”…

Dhe këto shkrime dhe denoncime të asaj kohe ishin të pafundme.

Emëruesi i i përbashkët i tyre ishte : « Demokracia e re në Shqipëri pësoi një goditje të rëndë. Ajo u nëpërkëmb dhe u poshtërua » !

Që prej asaj kohe kanë kaluar 25 vjet. Një çerek shekulli i plotë.

Fatkeqësisht dhe çuditërisht shkaktari i asaj ploje nuk nxorri mësime. Përkundrazi vazhdoi me kokëfortësi në rrugën e minimit të demokracisë.  Duke i trashur zullumet.

Deri më sot.

Është e kotë, e lodhshme dhe dëshpëruese të ripërmendësh vitin 1997, 21 janarin, djegiet e redaksive, frikësimet ndaj gazetarëve kundërshtarë, urrejtjen karshi opozitës, rrahjet, arresimet, zhdukjet dhe vrasjet enigmatike të disa personazheve kyç në jetën politike të vendit etj etj.

Po ashtu destabilitetin e vazhdueshëm të vendit, molotovët, tritolin etj etj.

Kupa u mbush dhe u derdh. Aq sa edhe përtej Atlantikut u bindën se Shqipëria nuk mund të lihej përfundimisht dhe përjetësisht në dorën e një njeriu të vetëm.

Deri sa erdhi “mandata “ e tmerrshme. Dhe e merituar. “Minues i demokracisë, pengues i drejtësisë, shpërdorues i pushtetit për të pasuruar veten, familjen dhe aleatët”…

“Non grata”…

 Përgatitur për « Tema » nga Viron Gjymshana

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re