Në ditën e fundit të Ministerialit të vendeve të Ballkanit Perëndimor disa nga temat që u diskutuan ishin edhe kërkimi shkencor, inovacioni dhe arsimi.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në një status në rrjete sociale shprehet se sot, së bashku me Komisioneren Mariya Gabriel dhe homologët e saj nga vendet e Ballkanit Perëndimor diskutuan për agjendën e përbashkët në fushën e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

 

“Theksuam nevojën për bashkëpunim më të ngushtë në kuadër të programit “Horizont Evropa”, si dhe ndamë përvojat dhe politikat tona në promovimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, sidomos nëpërmjet partneritetit universitet – biznes,” – shkruan znj. Kushi.

 

Më tej ajo nënvizon se në fushën e arsimit diskutimi u fokusua në mjedisin e qëndrueshëm dhe integrimin e tij në politikat arsimore, kurrikulat, programet dhe të gjitha proceset mësimore.

 

Gjatë fjalës së saj, ministrja u shpreh se Shqipëria u përshtat shumë mirë me kushtet që solli pandemia. Pavarësisht sfidave të mëdha dhe kufizimeve buxhetore, qeveria shqiptare nuk e kufizoi asnjëherë financimin për kërkimin dhe inovacionin.

 

Përkundrazi, e fuqizoi infrastrukturën e kërkimit dhe kërkimit, me bindjen se mbështetja e bazës sonë kërkimore sot, do t’i mundësojë asaj rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike dhe zhvillimin e vendin nesër.

 

Kushi theksoi se Shqipëria i qëndron fuqishëm Axhendës së Ballkanit Perëndimor për Inovacionin, Kërkimin Shkencor, Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Sportin për rritjen e investimeve dhe solidaritetin e përbashkët, për rimëkëmbjen e ekonomive tona dhe të ardhmen e popujve.

 

Ajo shprehu mirënjohje për Komisionin Evropian për mbështetjen e dhënë Shqipërisë për Marrëveshjen “Horizont Europa”, nënshkruar në shkurt dhe hyrë në fuqi në maj të këtij viti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re