Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Malit të Zi që situatën aktuale politike në vend ta tejkalojë vëtëm me mjete kushtetuese, në mënyrë që vendi kandidat të mund të vazhdojë rrugëtimin në procesin e integrimeve evropiane. Mali i Zi është një prej temave të diskutimit në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, që po zhvillohet të hënën në Bruksel.

 

 

Sipas paralajmërimeve për situatën në Mal të Zi, pritet të raportojnë së bashku ministrja e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon dhe ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg. Ata kanë vizituar Malin e Zi në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Zyrtarët e BE-së thonë se këto vizita të dy ministrave të Jashtëm të dy vendeve anëtare në Podgoricë ishin të suksesshme.Ata thanë se udhëheqësve politikë në Mal të Zi u është dërguar mesazhi i qartë se situata e tashme mund të zgjidhet vetëm me mjete ligjore, duke  kërkuar edhe zgjedhen e dy gjykatësve, në mënyrë që të funksionalizohet Gjykata Kushtetuese.

 

 

Ky do të ishte një parakusht për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta në Mal të Zi. Edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë Gordan Gërlliq Radman ka paralajmëruar se do të flasë për situatën në Mal të Zi, pasi edhe ai, para disa ditësh kishte qëndruar për vizitë.

 

 

“Ftojmë Malin e Zi që të kuptojë seriozisht mesazhin e BE-së për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjin e diskutueshëm për presidentin. Ne kemi nevojë për Malin e Zi, na duhet një Mal i Zi stabil, i orientuar në mënyrë të qartë kah vlerat evropiane”, ka thënë ministri i Kroacisë, duke shprehur bindjen se Mali i Zi do të tejkalojë krizën politike dhe do të avancojë në rrugën e integrimeve evropiane.

 

 

Mali i Zi është vendi udhëheqës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.

 

 

Por, problemet e brendshme politike kanë ndikuar që procesi të ngadalësohet.

 

 

Disa burime diplomatike në Bruksel madje kanë tërhequr vërëetjen se i tërë procesi mund të ndalet nëse nuk sigurohet sundimi i ligjit dhe funksionalizmi i Gjykatës Kushtetuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re