Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), bllokut musliman prej 57 vendesh, u mblodhën sot në kryeqytetin pakistanez Islamabad për një konferencë dyditore me temë “Partneriteti për Bashkim, Drejtësi dhe Zhvillim”.
Ky është sesioni i 48-të i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-së, kurse Ministri i Jashtëm pakistanez Shah Mahmood Qureshi në fjalën hyrëse tha se OBI është zë kolektiv i afro dy miliardë muslimanëve dhe një urë ndërmjet kombeve muslimane dhe midis botës muslimane dhe komunitetit ndërkombëtar.
Ai përshëndeti vendimin e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për shpalljen e 15 marsit si Ditën Ndërkombëtare Kundër Islamofobisë. Vendimi u miratua në bazë të një drafti të dorëzuar në OKB në emër të OBI-së nga delegacionet e Turqisë dhe Pakistanit.
“Duke shënuar këtë ditë, OBI do të forcojë vetëdijen globale për islamofobinë dhe do të avancojë zgjidhjet përmes veprimit kolektiv”, tha Qureshi.
Duke komentuar luftën aktuale midis Rusisë dhe Ukrainës, Qureshi tha se konflikti, i cili ka rindezur tensionet mes Lindjes dhe Perëndimit, kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Një garë e re dhe destabilizuese globale e armatosjes është duke u zhvilluar. Konfliktet, ndërmjet dhe brenda kombeve, janë shumëfishuar. Bota muslimane po përballet me konflikte në Lindjen e Mesme, pushtim të zgjatur të huaj dhe mohim të së drejtës për vetëvendosje, veçanërisht për popullin e Palestinës dhe Kashmirit”, tha Qureshi.
Ai më tej tha se indinjata e botës muslimane po rritet për shkak të ndërhyrjeve të shpeshta të jashtme në vendet muslimane.
Duke treguar numrin në rritje të refugjatëve për shkak të konflikteve në mbarë botën, Qureshi tha se më shumë se dy të tretat e të gjithë refugjatëve në botë vijnë nga vetëm pesë vende: Siria, Afganistani, Sudani i Jugut, Mianmari dhe Somalia. Ai shtoi se vendet muslimane kujdesen për numrin më të madh të refugjatëve në botë.
Ministri i Jashtëm pakistanez Qureshi tha gjithashtu se zgjidhja e krizës humanitare në Afganistanin e shkatërruar nga lufta dhe parandalimi i kolapsit të ekonomisë afgane duhet të mbeten prioritetet kryesore të OBI-së.
“Duke bërë këtë, ne duhet të inkurajojmë dhe mbështesim përpjekjet e autoriteteve afgane për të eliminuar DEASAH-in. Gjithashtu nevojiten strategji efektive për të luftuar grupet e tjera terroriste në Afganistan, duke përfshirë Tehreek-e-Taliban Pakistan dhe Al Kaedën”, tha Qureshi.
Burimi: AA