Ministrat e Kartës së Adriatikut A-5 kanë nënshkruar sot një deklaratë zyrtare në përfundim të ministerialit të mbrojtjes duke ndërmarrë një sërë angazhimesh të përbashkëta.

“Qëndrojmë pranë popullit shqiptar në këto çaste të vështira pas tërmetit. Angazhohemi të ndërtojmë kapacitete të përbashkëta ndaj fatkeqësive natyrore.

Mbështesim anëtarësimin e gjithë vendeve të Evropës Juglindore në strukturat Euro-Atlantike. Të koordinohemi dhe ndajmë informacionin për të mbrojtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, kanë qenë disa nga angazhimet e dala në ministerialin e mbrojtjes të kartës së Adriatikut A-5.

Po kështu Ministrat e mbrojtjes miratuan në parim propozimin e Shqipërisë për një mision të përbashkët në Irak në vitin 2020.

Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, përmes një deklarate për shtyp ka falenderuar mbështetjen që anëtarët pjesëmarrës në këtë Ministerial dhe vendet anetare te NATO-s kanë dhënë për Shqipërinë në këtë situatë të vështirë të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Xhaçka u shpreh se e bënte optimist fakti që gjeti tek kolegët të njëjtën vendosmëri e ndjenjë përgjegjësie për të marrë përsipër pjesën që na takon në përballimin e sfidave të sigurisë, por dhe për të punuar bashkarisht drejt jetësimit të një prej parimeve themelore të Kartës së Adriatikut, që është mbështetja e vendeve të tjera të rajonit në rrugën e tyre drejt integrimit Euro-Atlantik

Duke garantuar vendosmërinë se do të punohet në vijimësi për promovimin e “Politikës së Dyerve të Hapura” për çdo vend të rajonit,  i cili aspiron dhe përmbush kriteret për të qenë pjesë e Kartës së Adriatikut, ministrja e Mbrojtjes nënvizoi Shqipëria do të vazhdojë të  mbështesë  pa kushte pranimin e Kosovës me statusin e vendit anëtar në iniciativë.

Njëherësh Xhaçka shprehu kënaqësinë, që Ministrat e Mbrojtjes ranë parimisht dakord me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për të kontribuar me një mision të përbashkët në Irak në kuadër të NATO-s, mision në të cilin  Shqipëria do të mbajë rolin e vendit drejtues.

“Një falënderim i veçantë nga të gjithë Ministrat e Mbrojtjes shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për rolin që luajnë dhe kontributin që ofrojnë në këtë iniciativë, dhe jo vetëm,  për të promovuar paqen, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe fqinjësinë e mirë në rajonin tonë”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes.

Deklarata për shtyp e ministres Xhaçka pas përfundimit të Ministerialit SHBA-Karta e Adriatikut:

Ishte një kënaqësi për mua të drejtoj këtë Ministerial të Mbrojtjes, që shënon dhe mbylljen e kryesimit nga Shqipëria të iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut  për vitin 2019. Jam e lumtur që ky ministerial ju qëndroi pritshmërie dhe rezultoi i suksesshëm dhe produktiv.

Ju jam mirënjohëse kolegëve që një pjesë e mirë e diskutimeve mes nesh ju dedikuan situatës së vështirë që po kalon Shqipëria pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Pata rastin t’ju shpreh atyre edhe personalisht falënderimet për të gjithë ndihmën e mbështetjen që na ofruan që në çastet e para që pasuan atë tragjedi.

Dhe jam e lumtur, që kjo situatë, shërbeu për të rritur gatishmërinë për të eksploruar të gjithë bashkë mënyra të tjera për të thelluar bashkëpunimin dhe për të përdorur në një mënyrë sa me efikase kapacitetet tona të përbashkëta për të përballuar fatkeqësitë natyrore. 

Sigurisht, që diskutimet tona u fokusuan edhe në situatën aktuale të sigurisë që po kalon rajoni ynë, sfidat e sigurisë me të cilat përballemi të gjithë ne, por edhe mënyrën sesi të gjithë ne mund të intensifikojmë kontributin tonë për sigurinë kolektive të NATO duke marrë pjesë në misionet dhe operacionet e Aleancës.

 Më bën optimiste fakti, që gjeta tek kolegët të njëjtën vendosmëri e ndjenjë përgjegjësie për të marrë përsipër pjesën që na takon në përballimin e sfidave të sigurisë, por edhe për të punuar bashkarisht drejt jetësimit të një prej parimeve themelore të Kartës së Adriatikut, që është mbështetja e vendeve të tjera të rajonit në rrugën e tyre drejt integrimit Euro-Atlantik.

Ne mbetemi të vendosur, për të punuar në vijimësi për promovimin e “Politikës së Dyerve të Hapura” për çdo vend të rajonit,  i cili aspiron dhe përmbush kriteret për të qenë pjesë e Kartës së Adriatikut.

Promovimi dhe aplikimi i kësaj politike është me një rëndësi jetike për rajonin tonë, pasi lidhet drejtpërdrejt me gjithëpërfshirjen, pranimin e njërit tjetrit dhe thellimin e bashkëpunimit mes të gjithë ne, çka është padyshim mënyra më e sigurt për të konsoliduar paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të Europës.

Pata rastin t’iu garantojë kolegëve të mi, se Shqipëria, në favor të kësaj politike, do të vazhdojë të  mbështesë  pa kushte pranimin e Kosovës me  statusin e vendit anëtar në iniciativë.

Shpreh kënaqësinë time, që Ministrat e Mbrojtjes ranë parimisht dakord me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për të kontribuar me një mision të përbashkët në Irak në kuadër të NATO-s, mision në të cilin  Shqipëria do të mbajë rolin e vendit drejtues.

Sigurisht, një falënderim i veçantë nga të gjithë Ministrat e Mbrojtjes shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për rolin që luajnë dhe kontributin që ofrojnë në këtë iniciativë, dhe jo vetëm,  për të promovuar paqen, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe fqinjësinë e mirë në rajonin tonë.

Duke ju falënderuar për vëmendjen kam nderin t’i jap fjalën Znj. Laura Cooper, Zëvendës Asistente e Sekretarit të Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re