Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, dhe ai i Brendshëm Taulant Balla kanë qenë të pranishëm në ceremoninë mortore të efektivit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, që u vra nga grupi serb një ditë më parë.

 

Hasani dhe Balla nderuan kujtimin e Bunjakut, i shpallur “Hero i Kosovës” pas vdekjes.

 

“Krah familjarëve, zyrtarëve të lartë e përfaqësuesve të trupit diplomatik në Kosovë i dhamë sot lamtumirën e fundit, Rreshter Afrim Bunjaku. Përulemi me nderim dhe respekt punës dhe kujtimit të heroit të Republikës, i cili sakrifikoi jetën e tij për sovranitetin e Kosovës”, shprehet ministri i Jashtëm Igli Hasani.

 

Ndërsa ministri Balla, në një postim në rrjetet sociale, ka shkruar “përulje dhe nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”.

 

Efektivit Afrim Bunjaku iu dha sot lamtumira e fundit në një ceremoni shtetërore ku morën pjesë figurat më të larta të shtetit të Kosovës, politikanë, personalitete e qytetarë të thjeshtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re