Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur Policinë e Elbasanit për shoqërimin e një shtetasi, për prishje të qetësisë publike dhe shkelje të rregullave të qarkullimit, duke lëvizur me shpejtësi në qendër të banuar.

 

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla falenderon qytetarët që denoncojnë rastet e prishjes së qetësisë publike dhe të shkeljes të rregullave të qarkullimit nga persona të papërgjegjshëm.

 

Sipas Ballës fenomeni i rëndomtë i ecjes me shpejtësi në zona të banuara do të marrë gjithmonë ndërshkim nga forcat e Policisë së Shtetit.

 

“Dua të falenderoj qytetarët që denoncojnë rastet e prishjes së qetësisë publike dhe të shkeljes të rregullave të qarkullimit nga persona të papërgjegjshëm. Fenomeni i rëndomtë i ecjes me shpejtësi në zona të banuara do të marrë gjithmonë ndërshkim nga forcat e Policisë së Shtetit”, shkruan Balla.

 

Policia e Elbasanit pas marrjs së një ankese nga qytetarët, ankesë e shoqëruar edhe me video, në të cilën shfaqet një automjet që qarkullonte me shpejtësi në bulevardin “Qemal Stafa”, ka bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë të automjetit sëbashku me drejtuesin shtetasin K. D. Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit K. D., 25 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

 

Gjithashtu, nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor u vendos masa administrative me vlerë 40.000 lekë, bazuar në nenin 139 të Kodit Rrugor. Automjeti u sekuestrua në cilesinë e provës materiale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re