Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka kërkuar mbështetje nga Kuvendi për disa ndryshime në Kodin Penal që në thelb kanë rritjen e sigurisë në shkolla dhe që parashikojnë dënime më të ashpra për shpërndarësit dhe trafikantët e drogës në perimetrin e sigurisë.

 

Balla theksoi se strukturat shtetërore, Policia dhe Agjencitë e sigurisë, duhet të ndërhyjnë sot fort, në mënyrë që e ardhmja e të rinjve shqiptarë, të jetë më e sigurt dhe më e mirë nesër. Ministri i Brendshëm, në apelin drejtuar kuvendit u shpreh se “dua t’i kërkoj kuvendit mbështetjen e plotë, pa asnjë dallim, të majtë – të djathtë, mazhorancë – opozitë, për ta çuar të gjithë së bashku këtë paketë të sigurisë, në shkolla.” Duke cituar një figurë historike si Churchill, për dallimet mes politikanit dhe shtetarit, ai solli në vëmendje të kuvendit që “shtetar është ai që mendon për gjeneratën e radhës.”

 

“Unë mendoj që të rinjve shqiptarë sot, u rrezikohet një e ardhme më e mirë, nëse ne nuk ndërhyjmë sot, me forcë, kundër përdorimit të lëndëve narkotike,” u shpreh Balla.Më poshtë fjala e plotë e Ministrit Balla:

 

Unë mendoj që të rinjve shqiptarë sot, dhe jo vetën të rinjve shqiptarë, besoj që është një sfidë globale, u rrezikohet një e ardhme më e mirë, nëse ne nuk ndërhyjmë sot, me forcë, kundër përdorimit të lëndëve narkotike.Natyrshëm që edhe në Europë ka një situatë të ngjashme edhe pse drogat sintetike nuk kanë hyrë ende. Gjatë kësaj vere ne kemi arritur, pra Policia e Shtetit ka arritur të godasë një sërë grupesh kriminale që kanë tentuar apo tentojnë të fusin droga në Shqipëri, përveç atyre që kemi njohur tradicionalisht.Gjatë operacionit kombëtar “Tempulli” u arrit të identifikoheshin edhe droga, të cilat kanë hyrë në Shqipëri, do e quaja nga vende të sigurta sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja apo dhe vende të tjera. Prandaj na duhet që në kuadër të këtij koalicioni mbarëbotëror kundër drogës, të kemi dhe ne një mirëkuptim, të gjithë bashkë, që lufta kundër këtij fenomeni t’i tejkalojë ndasitë e vjetra politike.Ne do të sjellim në Kuvendin e Shqipërisë shumë shpejt ndryshime në kodin penal. Dhe unë besoj që ndjesia e shtetarit duhet të prevalojë mbi nevojën e politikanit. Besoj që deputetët e kuvendit të Shqipërisë, edhe për shkak se kjo kërkon 3/5 e anëtarëve të kuvendit, t’i mbështesin ndryshimet që ne duam mbështetjen tuaj, për të garantuar që çdo keqbërës, shpërndarës lëndësh narkotike, spaçator, që i afrohet shkollave, të marrë një ndëshkim shumë më të ashpër, edhe pse nuk e fsheh që parashikimet në Kodin Penal shqiptar janë ndër më të ashprat, por është rrethanë rënduese. Ne duhet të garantojmë një perimetër sigurie pranë shkollave, përtej oborrit të shkollës. Nuk është oborri i shkollës perimetri i sigurisë, prandaj kemi ndryshuar qasjen këtë vit shkollor për të futur të gjitha rrugët e rrugicat që rrethojnë shkollat.Sot në mëngjes, në një prej shkollave më të populluara të Peshkopisë, policia, gjatë ushtrimit të kontrollit, të ri, do ta quaja, për shkak të paketës së sigurisë, sapo ka ndaluar një person i cili është raportuar edhe për shkak të këtij koordinimi të ri, edhe me oficerët e sigurisë në shkolla, gati për të shpërndarë lëndën narkotike të dyshuar, kanabis sativa, te fëmijët.Ne duhet ta përdorim foltoren e kuvendit, pikërisht, për t’i kërkuar gjithkujt që ka informacione të tilla, t’i ndajë ato me Policinë e Shtetit.Kam dëgjuar këtu, në pamundësi për të qenë personalisht gjatë atij momenti në sallë, për shkak të ministerialit, “non grata-n” e kësaj salle, teksa, lidhur me operacionin “Tempulli” thoshte që “është një gënjeshtër, nuk janë të vërtetë ato numra”.Po mirë, tani që gjykata dhe prokuroria dhe në fakt, mund të kem pasur shpesh herë në këtë foltore pakënaqësitë e mia si deputet apo edhe si ministër tashmë, ndaj gjykatave dhe prokurorisë, por në fakt, në këtë rast, shumë mirënjohje dhe shumë falënderim për të gjithë ata prokurorë e gjyqtarë, të cilët konfirmuan ato prova që prezantoi, dokumentoi Policia e Shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re