Pasi kryeministri britanik, Boris Johnson, dha dorëheqjen si lider i Partisë Konservatore, sondazhet tregojnë se ministri i Mbrojtjes, Ben Wallace, është favoriti kryesor për ta pasuar atë.

Sipas një sondazhi të YouGov, Wallace kryeson listën me 13 për qind të votave. Të preferuarit e tjerë për të marrë drejtimin e partisë janë sekretarja e Tregtisë. Penny Mordaunt, me 12 për qind, ish-ministri i Financave, Rishi Sunak, me 10 për qind dhe sekretarja e jashtme, Liz Truss, me 8 për qind.

Popullariteti i Wallace është rritur ndjeshëm për shkak të reagimit të tij ndaj luftës në Ukrainë, si dhe refuzimit të tij për t’u larguar nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri Johnson pas largimit të 59 ministrave dhe këshilltarëve të kryeministrit.

“Pak prej nesh e kemi detyrimin ta ruajmë këtë vend të sigurt, pavarësisht se kush është kryeministër. Partia ka një mekanizëm për të ndryshuar liderin dhe është një mekanizëm që unë i këshilloj kolegët e mi ta përdorin. Ndërkohë, publiku nuk do të na falte po t’i kishim lënë bosh këto zyra shtetërore”, tha Wallace.

Ndërkohë, debatet vazhdojnë nëse Johnson duhet të qëndrojë si kryeministër derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri i partisë. Ai tha në një fjalim të djeshëm se do të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet kryetari i ri i Partisë Konservatore.

Ish-kryeministri britanik John Major tha se nuk ishte as e mençur dhe as e qëndrueshme që Johnson të qëndronte në pushtet për disa muaj.

Pritet që drejtuesi i ri i partisë të emërohet në fillim të shtatorit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re