Lordi Tariq Ahmad, ministri britanik i shtetit për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Azinë Jugore dhe Kombet e Bashkuara në Zyrën e Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillimit (FCDO), fali namazin në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.

“Një nder dhe privilegj të kaloj kohë në Xhaminë e Shenjtë Al-Aksa mëngjesin e sotëm me Drejtorin e Departamentit të Vakëfit të Kudsit, Sheik Azzam al-Khatib”, shkroi Lord Ahmad.

Ministri musliman theksoi “mbështetjen e palëkundur” të Britanisë së Madhe për kujdestarinë jordaneze mbi vendet e shenjta në Kuds, si dhe ruajtjen e status-quo-së në këto vende.

Status-quo-ja u mundëson muslimanëve të luten në kompleksin Al-Aksa dhe pasuesit e feve të tjera të vizitojnë vendin.

Lordi Ahmad vizitoi gjithashtu qytetin Hebron të Bregut Perëndimor.

Dje, ministri britanik nisi vizitën e tij të parë zyrtare në territoret palestineze që kur mori postin.

Ai dje u takua me ministrin e Jashtëm izraelit Eli Cohen në Kudsin Perëndimor, përpara se të udhëtonte në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar për të takuar ministrin e Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki.

Al-Aksa për muslimanët paraqet vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, kësaj zone i referohen si Mali i Tempullit, duke pretenduar se në kohët e lashta aty ndodheshin dy tempuj hebrenj.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, në një veprim që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Burimi: AA