Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Dönmez, u takua me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.

Pas marrëveshjes së nënshkruar dje në fushën e gazit natyror me Bullgarinë, ministri Dönmez zhvilloi takime në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.

Ministri Dönmez dhe delegacioni që e shoqëron u takua me Bekteshin në ndërtesën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Gjatë vizitës së tij, Dönmez u shoqërua dhe nga ambasadori i Türkiye-s në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura për median. Në deklaratën e tij për gazetarët pas takimit, Dönmez vuri në dukje lidhjen historike dhe kulturore mes dy vendeve.

Ai tha se në Maqedoninë e Veriut jetojnë bashkatdhetarët turq, ndërsa në Turqi njerëzit me origjinë nga Maqedonia e Veriut.

“Ata në fakt janë burimet më të mëdha që shërbejnë në zhvillimin natyral të marrëdhënieve mes dy vendeve”, theksoi ai.

Duke kujtuar se po kremtojnë 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, Dönmez tha se janë duke i zhvilluar marrëdhëniet më tej çdo vit.

“Në këto takime shprehëm edhe një herë se jemi të gatshëm të mbështesim kërkesën në rritje për energji për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut, si përmes sipërmarrësve tanë turq, ashtu edhe përmes institucioneve tona shtetërore. Dua të shpreh edhe një herë se jemi të gatshëm të përmbushim qoftë kërkesën për gaz natyror, qoftë kërkesën për energji elektrike kur të krijohen kushte të favorshme”, tha ai.

Ai rikujtoi se dje në Bullgari kanë nënshkruar një marrëveshje shumë të rëndësishme, duke vazhduar: “Tashmë infrastruktura e gazit natyror në Turqi po bëhet e disponueshme edhe për vendet e rajonit. Edhe Maqedonia e Veriut po siguronte pjesën e konsiderueshme të gazit natyror nëpërmjet Bullgarisë. Sa më shumë burime mund të vihen në dispozicion, këtu bëhet fjalë për më shumë se një, atëherë në një mjedis ku do të ketë konkurrencë do të japin rezultate në favor të konsumatorëve. Në këtë proces, edhe ne jemi të gatshëm të kontribuojmë në qëllimet e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim”.

Sipas tij, sipërmarrësve turq në Maqedoninë e Veriut u takojnë detyra të rëndësishme dhe u është dhënë një kontribut i rëndësishëm atyre, ndërsa falënderoi sipërmarrësit turq për mbarimin e projekteve të filluara në kohë.

Dönmez gjithashtu theksoi se së shpejti me Maqedoninë e Veriut do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi, duke shtuar se në muajin shkurt do të organizojnë një samit ndërkombëtar të gazit ku e ka ftuar edhe ministrin Bekteshi.

– Dönmez: “Shekulli i Turqisë do të jetë edhe shekulli i energjisë”

“Shekulli i Turqisë do të jetë edhe shekulli i energjisë”, tha Dönmez, duke theksuar:

“Turqia fatkeqësisht deri më sot erdhi e varur prej jashtë në energji. Kjo nuk është një gjendje që ne e duam. Duhet ta pakësojmë këtë. Në këtë drejtim, ne duhet të hulumtojmë dhe gjejmë burimet vendase dhe të rinovueshme në masën maksimale dhe t’i vëmë në dispozicion të qytetarëve dhe njerëzve tanë. Në këtë kontekst, kemi dhënë intensitet në punimet tona të hulumtimit për burimet e hidrokarburëve në vitet e fundit. Falë Zotit, arritëm një zbulim të rëndësishëm në Detin e Zi. Synimi ynë është që brenda këtij viti, në 100-vjetorin e Republikës sonë atë gaz ta vëmë në dispozicion të njerëzve tanë. Gjithashtu kemi projekte serioze, të mëdha në fushën e energjisë së rinovueshme, erës, diellit, gjeotermale, biomasës, hidraulikës. Edhe ato do të zbatohen një nga një”.

Duke theksuar se siguria e furnizimit me energji është e domosdoshme për ta dhe theksoi rëndësinë e diversitetit të burimeve, Dönmez tha:

“Duheshte të përforcojmë infrastrukturën tonë. Në pjesë të madhe kemi përfunduar mungesat tona lidhur me infrastrukturën. U rrit kapaciteti i depove tona. Kapacitetin tonë në Liqenin Tuz do ta rrisim prej 1,2 miliard metra kub në 5,4 miliardë metra kub brenda dy viteve. Me këto investime infrastrukturore në energji, Türkiye po vepron jo vetëm për të plotësuar nevojat e veta, por edhe për të plotësuar nevojat e vendeve të rajonit. Gjithashtu edhe synimi për qendër të tregtisë rrjedhë prej këtu. Bisedojmë me vendet furnizuese-prodhuese. Bisedojmë edhe me vendet konsumatore. Ka qasje pozitive nga të dyja palët. Türkiye është vendi me konsumin më të lartë të energjisë në Evropën Juglindore. Gjithashtu edhe diversiteti i burimeve është tejet i madh. Thamë që pse, njëri prej qendrave të tregtisë si kjo ose të ngjashme që ka vepruar në Evropën Perëndimore të mos jetë në Evropën Juglindore, në Türkiye. Sepse ky rajon është në fakt më afër burimeve. Kjo është një mundësi, një avantazh. E shohim këtë vullnet edhe tek vendet fqinje. Ne mund ta operojmë lehtësisht këtë treg, këtë qendër shpërndarjeje së bashku”.

Në këtë kontekst, ministri Dönmez shtoi se Bekteshi ka theksuar se do ta mbështesin këtë projekt dhe se do të kenë rezultate sa më shpejt.

– Bekteshi: Shfaqëm interesim për çdo iniciativë të Republikës së Türkiye-s në të cilën mund të marrim pjesë

Ministri Bekteshi, nga ana e tij, duke theksuar se me këtë vizitë edhe një herë mund të shihet konkretisht bashkëpunimi i tyre i shkëlqyer me Turqinë, tha se kur ka filluar kriza energjetike vendi i parë që kanë kontaktuar në Turqi ka qenë Ministria e Energjisë dhe Burimeve Natyrore.

Në takim, ai tha se kanë shprehur qëndrimin e tyre se janë të interesuar për tërheqjen e sa më shumë investuesve turq në Maqedoninë e Veriut.

“Sidomos në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë, duke pasur parasysh temën me të cilën po përballemi, dhe në fushën e rritjes së prodhimit nga burimet e rinovueshme të energjisë. Në të njëjtën kohë, ne shfaqëm interesim edhe për çdo iniciativë të Republikës së Türkiye-s në të cilën ne si Republika e Maqedonisë së Veriut mund të marrim pjesë, që mund të jetë një treg i përbashkët rajonal në mekanizmat e tjerë që do të udhëhiqet nga Republika e Turqisë”, theksoi Bekteshi.

Ai më tej informoi se me Turqinë do të nënshkruajnë një memorandum, duke shtuar se grupet e punës janë në fazën e finalizimit të draftit, të cilin mund ta nënshkruajnë në takimin e radhës që mund ta realizojnë në Istanbul.

Bekteshi, në emër të tij dhe qeverisë e falënderoi vendin vëlla Turqinë për mbështetjen që i kanë dhënë Maqedonisë së Veriut në fusha të ndryshme të jetës, përfshirë këtu edhe ekonominë, si dhe për shkak të bashkëpunimit që kanë të dyja vendet.

“Presidenti (Recep Tayyip) Erdoğan dhe Dönmez kanë treguar gjithmonë interes. Jam i bindur se së bashku do ta kalojmë këtë krizë dhe sigurisht do të hapim perspektiva të reja jo vetëm për zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë por edhe zhvillimin e Turqisë në një të ardhme ku kompanitë tona mund të investojnë”, shtoi ministri Bekteshi.

Ministri turk Dönmez më parë u takua edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re