Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se Bashkimi Evropian nuk do të miratojë vaksinën ruse Sputnik V dhe se vendi i tij do të zhvillojë bisedime bilaterale me Rusinë.

Spahn i tha radios publike WDR se BE njoftoi të mërkurën që nuk do të porosiste Sputnik V në emër të vendeve anëtare, siç kishte bërë me prodhuesit e tjerë.

Ai tha të enjten se u kishte thënë kolegëve të tij, ministrave të shëndetësisë të BE, se Gjermania do të zhvillonte bisedime bilaterale me Rusinë, kryesisht se kur dhe sa mund të vinte.

“Për të ndryshuar me të vërtetë situatën tonë aktuale, dërgesat duhet të arrijnë sa më shpejt që në dy ose katër ose pesë muajt e ardhshëm”, tha Spahn.

Përndryshe, shtoi ai, Gjermania do të kishte tashmë më shumë se sa vaksina të mjaftueshme.

Spahn përsëriti se, për sa i përket Gjermanisë, Sputnik V duhet të aprovohet për përdorim nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe se Rusia duhet të sigurojë të dhëna për këtë.

Të mërkurën, guvernatori bavarez tha se administrata e tij po nënshkruan një kontratë paraprake për marrjen e 2.5 milion doza të vaksinës Sputnik V, ndoshta në korrik, nëse EMA miraton vaksinën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re