Ministri gjermani i Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës, Robert Habeck njoftoi se vendi i tij nuk është gati që të zbatojë embargo ndaj Rusisë për çështjen energjetike.

Në një fjalim në Parlamentin gjerman (Bundestag), Habeck tha se qeveria gjermane po zhvillon punime intensive për të diversifikuar burimet e saj të energjisë për eliminimin e varësisë ndaj Rusisë në energji.

“Do të diversifikojmë burimet e energjisë dhe nuk do të jemi më kurrë të varur si tani ndaj një furnizuesi të vetëm (Rusisë) të energjisë”, tha Habeck duke shtuar se po përpiqen të stabilizojnë politikën energjetike të Gjermanisë.

Ministri Habeck theksoi se vendi i tij nuk është në gjendje të vendosë embargo të menjëhershme ndaj qymyrit, naftës ose gazit nga Rusia. “Nuk jemi gati të vendosim embargo energjetike ndaj Rusisë. Embargoja do të vendosë në rrezik sigurinë e energjisë në Gjermani”, tha Habeck.

Gjermania siguron nga Rusia 55 për qind të gazit natyror, 35 për qind të naftës së papërpunuar dhe 45 për qind të qymyrit që ajo ka nevojë.

Brenda dy viteve Gjermania pret që të vendosë në funksion 2 terminale LNG të cilat do të ndërtohen për të pakësuar varësinë ndaj gazit natyror rus. Terminalet do të ndërtohen në qytetet Brunsbüttel dhe Wilhelmshaven. Gjermania e cila aktualisht nuk ka terminale, nuk mund të kryejë furnizim me LNG në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Katari.

Sipas të dhënave të Ministrisë gjermane të Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës, Gjermania ka importuar 170 miliardë euro energji prej Rusisë që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re