“Bota po përballet me një nivel të pa përjetuar më parë të nevojës humanitare”. Kështu është shprehur ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në fjalën e tij gjatë debatit të hapur në Këshillin e Sigurisë në OKB.

Hasani tha se nevojiten afro 55 miliardë dollarë për të ndihmuar 249 milionë njerëz në nevojë. Krizat e një pas njëshme tha ministri, ka sjellë edhe mungesën e fondeve, pavarësisht donacioneve që jepen.

Sektori privat tha ministri për Europën dhe Punët e Jashtme mund të ndihmojë gjithashtu duke ofruar akses në teknologjinë më të avancuar, kërkim dhe zhvillim, si dhe aftësi operacionale.

Bota po përballet me një nivel të pa përjetuar më parë të nevojës humanitare, e nxitur nga konflikti, ndryshimet klimatike dhe ndikimi i zgjatur i COVID-19. Në rishikimin e  6-mujorit të parë të vitit 2023 të Dimensionit Global Humanitar, Kombet e Bashkuara vlerësuan se nevojiten afro 55 miliardë dollarë për të ndihmuar 249 milionë njerëz në nevojë. Pavarësisht bujarisë së vazhdueshme dhe përpjekjeve për mobilizimin e burimeve, hendeku aktual midis asaj që nevojitet dhe asaj që është e disponueshme përmes kontributeve të donatorëve është i madh.

 

Ky nuk është një fenomen i ri. Vit pas viti, krizë pas krize, përballemi me mungesë fondesh dhe ndihmë/asistencë të disponueshme, pavarësisht bujarisë së donatorëve. Është një mungesë që ka pasoja të jashtëzakonshme për miliona e miliona njerëz të prekur nga konflikti, katastrofat natyrore, ndryshimet klimatike dhe kriza e sigurisë ushqimore. Ne besojmë se një kontribut më i madh dhe i strukturuar nga sektori privat, mund të shkojë drejt adresimit të kësaj mungese urgjente. Nuk janë vetëm burimet materiale, fondet, ushqimet, ilaçet etj, atje ku sektori privat mund të kontribuojë në këtë përpjekje të rëndësishme, që vjen si një urgjencë e re në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe ndërprerjes në furnizimet ushqimore që ajo ka prodhuar për pasojë.

 

Sektori privat mund të ndihmojë gjithashtu duke ofruar akses në teknologjinë më të avancuar, kërkim dhe zhvillim, si dhe aftësi operacionale. Me ekspertizën dhe aftësitë e sektorit privat në fusha të tilla si logjistika, telekomunikacioni, transporti dhe analiza e të dhënave, aktorët humanitarë do të jenë më eficientë/efektivë në reagimet/përpjekjet e tyre.

 

Ndërsa Këshilli i Sigurimit dhe Kombet e Bashkuara trajtojnë nevojën e përshpejtuar humanitare në zonat e konfliktit ose në zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore, ne besojmë se është e domosdoshme që të gjejmë mënyra për të forcuar rolin e sektorit privat në operacionet humanitare.

 

Shqipëria beson gjithashtu se është e domosdoshme që të identifikojmë boshllëqet më problematike dhe fushat kyçe për përmirësimin e reagimit ndaj krizave, ndërsa, në të njëjtën kohë, të eksplorojmë mekanizmat përmes të cilëve mund të zyrtarizohet roli i korporatave apo filantropive në ekosistemin e reagimit ndaj krizës. Shqipëria fillimisht eksploroi mundësinë e përfshirjes më të madhe të sektorit privat në operacionet humanitare në një mjedis të duhur krize. Siç e dini shumë prej jush, duke filluar nga viti 2021, Shqipëria mirëpriti mijëra burra, gra dhe fëmijë afganë.

 

Shqipëria është një vend i vogël që nuk ka burimet dhe infrastrukturën e nevojshme për të ofruar strehim, në kushte dinjitoze, për një numër kaq të madh njerëzish. Megjithatë, atë që na mungonte në burime, e plotësuam duke adoptuar një qasje të re për menaxhimin e krizave humanitare, duke krijuar një sinergji mes burimeve tona publike dhe atyre të aktorëve private, për t’iu asistuar dhe për ti akomoduar  këta mijëra njerëz të dëshpëruar.

 

Duke punuar ngushtë me Schmidt Futures dhe Fondacionin Yalda Hakim – Z. Cohen ishte i përfshirë personalisht në të gjitha këto përpjekje – ne arritëm të konceptonim një model të ri të operacioneve humanitare, që nuk na lejonte thjesht të siguronim strehim dhe ushqim dhe kujdes për afganët tanë mysafirë, por besoj se na dha edhe një ide jashtë ‘kornizës’ se si mund të funksionojë menaxhimi i krizës dhe ndihma humanitare nëse aktorët publikë dhe privatë bashkojnë forcat. Gjatë operacioneve tona humanitare, ne pamë nga afër se sa efikas mund të jetë sektori privat në ofrimin e ndihmës humanitare dhe mbështetjen thelbësore logjistike në kohën e duhur, nëse jeni partner me ta. Nga kjo përvojë lindi ideja për një Partneritet Humanitar Publik-Privat.

 

Shqipëria ka punuar fort me partnerët e saj dhe, në veçanti, me Schmidt Futures për të eksploruar këtë ide të re dhe se si mund të nxiten partneritetet humanitare publike private, duke ndërtuar një Aleancë Humanitare të Sektorit Privat. Aleanca është konceptuar si një platformë, misioni kryesor i së cilës do të jetë mobilizimi i burimeve në mënyrë më efikase brenda ditëve të para të çdo situate krize që kërkon ndihmë humanitare. Ai do të lidhë sektorin privat dhe aktorët e filantropisë me organizatat ndërkombëtare ose OJQ-të në mënyrë që ndihma e nevojshme të mund të rrjedhë përmes kanaleve dhe mekanizmave të tyre ekzistues brenda ditëve të para që janë vendimtare.

 

Gjithçka do të bëhet në përputhje të plotë me parimet e OKB-së për Ndihmën Humanitare dhe ato të të gjitha organizatave të saj të reagimit ndaj krizave!

Ne jemi të lumtur dhe krenarë për atë që kemi arritur deri më tani, së bashku me Schmidt Futures dhe partnerë të tjerë, duke përfshirë anëtarët themelues të Aleancës, dhe një numër përfaqësuesish janë këtu të pranishëm.

 

Kolegë,           

Përgjatë gjithë punës sonë në këtë platformë, ne kemi përjetuar emocione pozitive  kur kemi parë nivelin e bujarisë dhe motivimit për të mirën publike, të kompanive dhe filantropive kryesore të sektorit privat.

 

Ne besojmë se avancimi i kësaj ideje të një partneriteti humanitar publik privat është jo vetëm i nevojshëm, por gjëja e duhur për t’u bërë!

 

Ne presim me padurim konsolidimin e Aleancës dhe punën e saj në muajt dhe vitet në vijim, në dobi të një përgjigjeje më të mirë ndaj nevojave në rritje në mbarë botën.

 

Duke punuar së bashku, ne mund të maksimizojmë impaktin e ndihmës, të shpëtojmë më shumë jetë dhe të ndërtojmë komunitete elastike/të qëndrueshme përballë vështirësive.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re