Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, është pjesë e delegacionit shqiptar që merr pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Hagë, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama.
Gjatë takimit të Këshillit NATO-Ukrainë, ministri Hasani riafirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën në përballjen me agresionin dhe vuri në dukje rëndësinë e rolit udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në drejtimin e përpjekjeve për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme. Ai gjithashtu theksoi nevojën për një shtyllë të fortë evropiane që garanton unitetin dhe qëndrueshmërinë e Aleancës.
Në kuadër të samitit, Hasani zhvillon takime bilaterale me homologë nga vendet aleate dhe do të marrë pjesë në diskutime që fokusohen në sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik.
Ministri Hasani e përmbledh këtë përvojë edhe në rrjetet sociale:
“Gjatë takimit të Këshillit NATO–Ukrainë në Hagë, riafirmova mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, vlerësova rolin udhëheqës të SHBA-së për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, si dhe theksova rolin thelbësor të një shtylle të fortë evropiane për unitetin dhe qëndrueshmërinë e Aleancës.”
Samiti i NATO-s në Hagë pritet të jetë një forum kyç për të diskutuar sfidat globale të sigurisë dhe për të forcuar bashkëpunimin mes aleatëve në mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.