Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot pas lajmit se Shqipëria kalon në fazën e dialogut të pasmonitorimit nga Komiteti Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Lajm i mirë nga Asambleja Parlamentare e këshillit të Evropës! Pas 29 vitesh të gjata nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë Organizatë në vitin 1995, Komiteti Monitorues i CoE-PACE ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut të postmonitorimit”, u shpreh Hasani në një reagim në platformën X.

Hasani theksoi se, ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

“Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë”, tha ministri Igli Hasani.

Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), u ngrit në vitin 1997, si një nevojë për të krijuar një mekanizëm të rregullt, i cili do të monitoronte sistematikisht situatën e respektimit të të drejtave të njeriut, shtetit ligjor dhe demokracisë në vendet anëtare të KiE-së./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re