Partia Demokratike ka denoncuar këtë të shtunë ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, për të cilin thotë se është pronari i lavazhit, ku zv.kryeministrja, Belinda Balluku jepte 10 mijë euro për të larë makinën e saj.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli me anë të një deklaratë për mediat thotë se “nëna 70 vjeçare e ministrit Hoxha, rezulton pronare e subjektit tregtar ‘Veba 45’ shpk me objekt ‘administrimi i parkimit dhe lavazhit të automjeteve”.
“Nuk është çudi që ‘blerjet e vogla’ deri 10 mijë euro të Ballukut për larje automjeti të kishin objektiv dërgimin e parave publike në ndërtesën në krah të KM ku ndodhet lavazhi i familjes së ministrit Hoxha”, thuhet nder te tjera në denoncimin e PD.
Në emër të Partia Demokratike, Vangjeli i bën thirrje SPAK të nisë hetimet për të ballafaquar me ligjin çdo shkelës.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Ministri Ervin Hoxha nuk mund të ishte i ndryshëm nga paraardhësit e tij në atë detyrë, që janë në burg a nën hetim, apo nga kolegët e tij në qeveri.
Hoxha nuk është futur ende te ata që hanë kumbulla pas shpinës së Ramës, por atij i shkon shprehja tjetër popullore ‘sheh rrushi rrushin e piqet’.
Si socialistët e tjerë në qeveri që e rilindën hajdutërinë, Hoxha përdor kompaninë në emrin e së ëmës së moshuar për të përfituar para publike.
Nëna 70 vjeçare e ministrit Hoxha, rezulton pronare e subjektit tregtar ‘Veba 45’ shpk me objekt ‘administrimi i parkimit dhe lavazhit të automjeteve pranë Hotel ‘Rogner’.
Administrator i të njëjtit subjekt është vëllai i tij Darling Hoxha, njëkohësisht Drejtor i Drejtorisë Rajonale OSSH Tiranë.
Në zbatim të ligjit për konfliktin e interesit, nenet 27 dhe 35, në rast se aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur, ato vlerësohen njëlloj si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit, dhe personit të lidhur i kufizohen të drejtat pasurore për to, në të njëjtën masë dhe mënyrë si në rastin e vetë zyrtarit.
Jo vetëm që personi i lidhur me zyrtarin ushtron veprimtari tregtare, por sipas të dhënave të nxjerra nga Spending data rezulton se subjekti ‘Veba 45’ shpk ka përfituar fonde publike nga institucione të ndryshme shtetërore përfshirë ato ku ka patur marrëdhënie pune ministri Hoxha, e konkretisht Administrata Qendrore e Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia e zhvillimit të territorit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Komisionerët Publikë, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, etj.
Nuk është çudi që ‘blerjet e vogla’ deri 10 mijë euro të Ballukut për larje automjeti të kishin objektiv dërgimin e parave publike në ndërtesën në krah të KM ku ndodhet lavazhi i familjes së ministrit Hoxha.
Prandaj edhe specifikimet teknike të vendosura në ftesën për ofertë të procedurës me objekt ‘Shërbim larje autovetura, tapiceri’ që do të zhvillohej në 28 Mars, i përshtateshin fiks lavazhit e parkimit të Veba 45 shpk.
Sapo lajmi mori dhenë e u denoncua nga lideri i opozitës Profesor Doktor Sali Berisha, MIE anuloi menjëherë procedurën me justifikimin se dokumentet e tenderit përmbanin gabime dhe mangësi të rëndësishme dhe nuk u publikua më.
Nuk ka mbetur asnjë centimetër e atdheut të cilën këta nuk duan ta zhvatin. Nga deti në mal dhe nga gradacelat e deri te lavazhet e parkimet poshtë tyre.
Partia Demokratike i bën thirrje SPAK të nisë hetimet për të ballafaquar me ligjin çdo shkelës.