Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abdullah bin Zayed Al-Nahyan, u takua sot me presidentin izraelit Isaac Herzog në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Izrael.
Kryediplomati i Emirateve i dërgoi mesazh nga presidenti Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan udhëheqësit izraelit, sipas një njoftimi nga zyra e Herzog.
“Bota respekton Marrëveshjen e Abrahamit. Tani ka një Lindje të Mesme të re”, ka thënë Herzog.
Bin Zayed, nga ana e tij, i cilësoi marrëdhëniet emirato-izraelite si “historike”.
Ministri i Jashtëm i Emirateve vizitoi gjithashtu muzeun Yad Vashem, i cili përkujton viktimat e Holokaustit nazist.
Bin Zayed mbërriti në Tel Aviv të mërkurën në një vizitë zyrtare që përkon me dyvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis EBA-së dhe Izraelit.
Në shtator 2020, EBA-ja dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të normalizuar marrëdhëniet e tyre. Që atëherë, dy vendet kanë shkëmbyer vizita nga zyrtarë të lartë dhe kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme, duke përfshirë investimet, shërbimet bankare dhe turizmin.
Tre shtete të tjera arabe: Bahreini, Maroku dhe Sudani, iu bashkuan Emirateve të Bashkuara Arabe në hapin e diskutueshëm që u bë i njohur si Marrëveshja e Abrahamit.
Burimi: AA