Ministri i Jashtëm i përkohshëm i Greqisë, Vassilis Kaskarelis, do të kërkojë lirimin nga burgu të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, në një takim që do të ketë me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat greke, sipas të cilave, Vassilis Kaskarelis po planifikon të takohet me Ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, në Samitin joformal të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Oslo, për të ngritur çështjen e lirimit të Fredi Belerit dhe bashkëpunëtorit të tij, Pandeli Kokaveshit.
Në të njëjtën kohë, sipas burimeve kontradiktore, ministri i Jashtëm grek është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadoren greke në Shqipëri, Konstantina Kamitsi, për t’u informuar vazhdimisht, ndërkohë që jepen udhëzimet e duhura për trajtimin e këtij problemi.
Vihet re se, pas udhëzimeve përkatëse, ambasadorja greke është takuar së fundmi me të dy të burgosurit dhe është në komunikim të vazhdueshëm me të afërmit dhe avokatët e tyre.