Skip to content

Ministri i Jashtëm i Rusisë do të marrë pjesë në Forumin e Diplomacisë në Antalya

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, do të marrë pjesë në Forumin e Diplomacisë në Antalya të planifikuar për muajin e ardhshëm në Turqi, bëri të ditur zëvendësministri i Jashtëm i vendit, Mikhail Bogdanov.

Lavrov do të zhvillojë takim me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe gjithashtu do të marrë pjesë në takimin ministror të formatit të Astanës, platforma që përfshin Iranin, Rusinë dhe Turqinë për Sirinë, tha Bogdanov, gjatë një takimi të Valdai Discussion Club, një think tank, në Moskë.

“Në Antalya do të mbahet një takim dypalësh me pjesëmarrjen e ministrit tonë dhe një takim trepalësh i ministrave të jashtëm garantues të procesit të Astanës”, tha ai.

Më herët, një burim në Ministrinë e Jashtme turke tha se Lavrov, në një bisedë telefonike me Çavuşoğlu, konfirmoi pjesëmarrjen e tij në ngjarjen që do të zhvillohet më 11-13 mars në qytetin turistik jugor Antalya.

Takimi i nivelit të lartë mbledh së bashku liderë politikë, diplomatë, krijues të opinionit dhe akademikë për të debatuar mbi çështje me rëndësi globale.