Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar mori pjesë në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s dje në selinë e aleancës në Bruksel të Belgjikës.

Akar zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me zyrtarë të lartë ushtarakë dhe civilë të mbrojtjes nga vendet e NATO-s.

Pasi u takua më parë me ministren kanadeze të Mbrojtjes, Anita Anand, Akar u takua edhe me homologun e tij grek Nikos Panagiotopulos. Të dy ministrat ranë dakord për takimin e katërt dypalësh mbi masat e ndërtimit të besimit, i cili duhet të mbahet në kryeqytetin turk Ankara sa më shpejt të jetë e mundur.

Gjatë takimit u trajtua edhe rëndësia e së drejtës ndërkombëtare dhe fokusimi në agjendën pozitive dhe kontributet e mundshme të saj në marrëdhëniet dypalëshe dhe rritjen ekonomike rajonale.

Nga ana tjetër, Akar u takua me ministrin letonez të Mbrojtjes, Artis Pabriks, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin e gjerë të mbrojtjes dhe sigurisë në NATO.

Gjatë takimit me ministren franceze të Mbrojtjes, Florence Parly, ministri turk Akar theksoi rëndësinë e heqjes së kufizimeve në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe rritjen e aktiviteteve të bashkëpunimit në stërvitjet ushtarake.

Gjithashtu u shkëmbyen mendime për çështjet dypalëshe, rajonale dhe të mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht për zhvillimet në Ukrainë.

Akar zhvilloi bisedime me ministren holandeze të Mbrojtjes, Kajsa Ollongren në selinë e NATO-s.

Ai u takua gjithashtu me sekretarin britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace. Dy shefat e mbrojtjes diskutuan për zhvillimet në Ukrainë si dhe çështjet dypalëshe, rajonale, të mbrojtjes dhe sigurisë.

Ministri turk u takua edhe me sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin. Ata diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë si dhe çështjet dypalëshe, rajonale, të mbrojtjes dhe sigurisë. Akar dhe Austin theksuan rëndësinë e rritjes së mëtejshme të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe edukimit ushtarak.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re