Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Uran Ismaili, i shoqëruar nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit ekzekutiv të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dr. Basri Sejdiu qëndroi sot pasdite në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku vizitoi disa pacientë të prekur nga fruthi dhe bisedoi me stafin e kësaj klinike për menaxhimin klinik të ktyre rasteve.
Ministri Ismaili u njoftua nga drejtori i Klinikës Infektive dr. Hamdi Ramadani për gjendjen e pacientëvë të prekur nga fruthi që po trajtohen në këtë klinikë.
Drejtori Ramadani bëri të ditur se situata është nën kontroll dhe se rastet po menaxhohen me përkushtim nga stafi i klinikës. Ai tha se që prej paraqitjes së rasteve të ditëve të fundit që kanë kërkuar mjekim aty, personeli mjekësor ka trajtuar dhe lëshuar në shtëpi me gjendje të mirë shëndetësore dhe kalim të fruthit 85 raste, përderisa në klinikë po trajtohen 79 raste të tjera.

Disa prej këtyre rasteve, sipas drejtorit Ramadani, janë në gjendje të rëndë, por stafi mjekësor po bën maksimumin për t’u përkujdesur për ta.Gjatë ditës së nesërme ndërkaq, pritet që në shtëpi të lirohen edhe 25-30 raste të tjera pas trajtimit më sukses në Klinikën Infektive.
Drejtori Ramadani tha se sitata është e manaxhueshme dhe se Ministria ka furniziar me medikamentet e nevojshme klinikën për trajtimin e rasteve, ndërkohë që theksoi faktin se rastet e fruthit që po paraqiten, janë prej atyre kategorive të popullatës që nuk janë imunizuar dhe vaksinuar me kohë dhe disa raste të cilat nuk e kanë kaluar fruthin në formë natyrale.
Ministri Ismaili tha se ka  ardhur në klinikë që të tregojë mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë për pacientët që po trajtohen dhe personelin shëndetësor si dhe të shoh nga afër menaxhimin e këtyre rasteve.
Ministri Ismaili u ka bërë apel grupeve të popullatës së pa vaksinuar, që të vaksinohen dhe ka falënderuar personelin mjekësor për angazhimin e tyre për menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj situate./pp/
Ministri Ismaili, drejtori i Klinikës Infektive dhe drejtori ekzekutiv i SHSKUK-së, kanë theksuar se popullata nuk ka nevojë për panik, por për një kujdes të shtuar, derisa kanë siguruar se Ministria, SHSKUK, IKSHP dhe institucionet e tjera, po bashkëpunojnë ngusht për menaxhimin me kujdes të situatës dhe rasteve të fruthit në Kosovë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re