Qeveria e re e koalicionit italian nuk ka ndërmend të braktisë euron dhe ka në plan të përqëndrohet në reduktimin e borxhit, tha ministri i Ekonomisë Giovanni Tria në një përpjekje për të qetësuar tregjet financiare nervoze. Kjo, pasi ekziston frika se euroskeptikët në koalicionin e ri mund të tërheqin vendin nga eurozona. Por jo.

Në paraqitjen e tij të parë të medias, Tria i tha gazetës Corriere della Sera se koalicioni dëshiron të nxisë rritjen nëpërmjet investimeve dhe reformave strukturore.

“Qëllimi ynë është të nxisim rritjen dhe punësimin, por ne nuk planifikojmë ta bëjmë këtë përmes rritjes së deficitit buxhetor”, tha Tria, duke njoftuar se do të paraqesë parashikimet e reja ekonomike dhe qëllimet e qeverisë në shtator.

Tria është një profesor i panjohur i ekonomisë, i cili nuk është i lidhur me partitë dhe koalicioni thekson se është i vendosur të qëndrojë në eurozonë.

“Pozicioni i qeverisë është i qartë dhe unik, nuk flitet për braktisjen e euros”, tha ministri.

Ai shtoi se ai kishte folur me homologun e tij gjerman dhe se ai ishte në pritje të një “dialogu të frytshëm” me Bashkimin Evropian.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re