Matteo Salvini ministri italian i infrastrukturës, njëkohësisht kreu i partisë së djathtë ‘Lega’, ka sulmuar ashpër sot presidentin francez për idenë e dërgimit të trupave ushtarake evropiane në luftën në Ukrainë, gjatë fjalimit të tij në konferencën “Era e Ndryshimit” në Romë.

Salvini iu referua Macron me termin “luftënxitës” në lidhje me komentet që Macron bënte më herët kur tha se “nuk refuzonte mundësinë” e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë.
“Mendoj se presidenti Macron me fjalët e tij përfaqëson një rrezik si për Italinë ashtu dhe për kontinentin. Problemi nuk është mami ose babai, por problemi janë luftënxitësit si Macron, që flasin për luftë sikur të mos kishte asnjë problem. Unë nuk dua t’i lë fëmijëve një kontinent gati për të hyrë në luftën e tretë botërore”, tha mes të tjerash Salvini.

Në eventin e organizuar nga një agjenci e Parlamentit Evropian, Salvini shtonte se sugjerimet e Macron muajin e kaluar, ishin “të rrezikshme, të ekzagjeruara dhe të pabalancuara”.
Dy politikanët janë përplasur dhe më parë verbalisht kur para dy vitesh Salvini tha se “francezët duhet të largojnë një president të tmerrshëm si Macron”, të cilës ky i fundit ishte kundër-përgjigjur duke thënë se “nacionalizmi i partisë së Salvini është si lebroza”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re