Për qeverinë, vendimi i DEA-s për të bashkëpunuar drejtpërdrejt me qytetarët, në luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave në Shqipëri, është shenjë e bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve.

 

Dy ditë më parë, Agjencia Amerikane kundër Narkotikëve në dispozicion të qytetarëve vendosi një numër në WhatsApp dhe një adresë të postës elektronike. Përmes tyre, shqiptarëve u kërkohet që të denoncojnë çdo të dhënë, që mund të kenë për trafikun e lëndëve narkotike, apo pastrimin e parave.

 

Por kjo thirrje e DEA-s amerikane, për Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, nuk është mungesë besimi ndaj organeve ligjzbatuese shqiptare, por e kundërta, rritje e besimit ndaj institucioneve të krijuara pas reformës në drejtësi.

 

ULSI MANJA

MINISTER I DREJTESISE

 

Unë e konsideroj si shenjë e besimit të fortë të autoriteteve të DEA-s me institucionet shqiptare. Bashkëpunimi i deritanishëm i agjencive ligjzbatuese shqiptare me DEA-n por edhe me të gjithë misionet e tjera është shenjë e fortë e bashkëpunimit dhe forcimit të këtij bashkëpunimi. Bashkëpunimi përmes prokurorissë dhe agjencive të tjera të ligjzbatimit, përfshirë edhe policinë e shtetit me partnerët tanë amerikanë, tregon se besimi tek strukturat tona lizgjbatuese vjen në rritje.

 

Si vendosmëri të qeverisë ndaj krimit të organizuar, Ulsi Manja përmendi përpjekjen e Ministrisë së Drejtësisë, për të patur një marrëveshje ekstradimi të personave të kërkuara nga drejtësia shqiptare dhe ajo e Dubait.

 

ULSI MANJA

MINISTER I DREJTESISE

 

Nuk është mungesë vullneti dhe bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare për të patur një marrëveshje dypalëshe edhe me Dubain. Kanë politikat e tyre, por kjo nuk do të thotë që neve do të rreshtim se kërkuari të kemi një marrëveshje me autoritetet e Dubait për ekstradimin e personave të krimit që fshihen atje.

 

Ndër vendimet e marra në mbledhjen e qeverisë, ishte edhe ai për ndryshimet në ligjin për policinë e burgjeve, ku për të plotësuar vakancat në institucionet e vuajtjes së dënimit, do të hiqet kufiri i moshës, apo të rikthehen në detyrë policët e burgjeve, që kanë dhënë dorëheqjen me vullnetin e tyre.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re