Politika perëndimore, që u kërkon vendeve të Ballkanit të zgjedhin mes Perëndimit dhe Rusisë, është e dëmshme.

Kështu u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, gjatë vizitës së tij në Lubjanë të Sllovenisë.

Në një konferencë të përbashkët me shefin e diplomacisë sllovene, Karl Erjavc, ai tha se një qasje e tillë e Perëndimit “kishte nxitur krizën në Ukrainë”, ku sipas tij në vitin 2014 ndodhi një grusht shteti.

“Tani duan të tërheqin edhe Ballkanin në një lojë të njëjtë, duke e detyruar të zgjedhë nëse është me Perëndimin apo Rusinë”, pohoi shefi i diplomacisë ruse.

Lavrov do të vizitojë gjithashtu Serbinë, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por që ruan lidhje të forta me Rusinë, kryesisht për shkak të qëndrimit të Moskës ndaj Pavarësisë së Kosovës.

Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë lidhur me veprimet në Ukrainë.

Zhvillimet politike në Europën Juglindore gjatë vitit të fundit nxitën shqetësime në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë, e cila nuk e sheh më sy të mirë integrimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim në disa raste, edhe për një qendër të emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit, në Serbinë Jugore.

Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin atë si një bazë ushtarake të kamufluar, që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re