Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç ka akuzuar qeverinë e Kosovës se ose po fsheh diçka ose dikë, që është fajtor për vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Siç bën të ditur agjencia serbe Beta, duke ju referuar një interviste televizive të ministrit serb, Stefanoviç foli qartë e prerë:

“Asnjë prej fajtorëve nuk është arrestuar, janë ndaluar disa por asnjë. Kur vlerësojmë se disa njerëz mund të rrezikojnë sigurinë e Serbisë, atëherë ne mund t’i pyesim” tha Stefanoviç.

I pyetur se deri në ç’masë kishte ardhur hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviç, ministri akuzoi autoritetet e Prishtinës për mosngritjen e gjërave themelore për një hetim policor, por gjithashtu njoftoi bisedime të reja në nivel operacional ndërmjet përfaqësuesve të policisë serbe dhe të Kosovës.

“Ne kontrolluam atë që na takon dhe mësuam gjëra të caktuara, ne jemi të gatshëm të ndajmë informacionin, por ne presim që Prishtina të na japë pamjet e kamerave, të kontrollojmë stacionet bazë, nëse ata nuk e fshehin diçka ose dikë, që është të përfshirë në atë vrasje dhe ata nuk duan që ne ta dimë”, tha Stefanoviç.

Ai shtoi se Ministria e Brendshme e Serbisë është e gatshme të arrestojë këdo, pavarësisht nëse është serb, shqiptar apo një i huaj, nëse ka informacion që ata kanë marrë pjesë në vrasjen e Ivanoviç.

“Ne nuk duam të spekulojmë në interesin e të cilit ishte vrasja e Ivanoviçit. Është në interesin tonë të gjejmë vrasësit, ata që i organizuan dhe dhanë urdhrin. Sa për insinuatat e Prishtinës se serbët nga Mitrovica e veriut janë autorë dhe organizatorë, shtrohet pyetja se përse Haradinaj u takua vazhdimisht me të dyshuarit pas vrasjes? Si mund të pohosh se dikush është vrasës dhe pastaj e takon atë, domethënë se e di se ai nuk është vrasës apo se ju ndihmoni ta fshihni?”, tha ministri.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re