Presidenti i Serbisë në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm urdhëroi ushtrinë serbe që për shkak të situatës në Kosovë të jetë në gatishmëri, konkretisht të ngrihet niveli i gatishmërisë luftarake në atë nivel që të mund t’i përgjigjet çdo detyre, tha sot ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç.

“Sigurisht që askush nuk i do konfliktet dhe luftërat, as nuk i shkon mendja të bëjë lojëra të tilla. Serbia është një vend serioz dhe i ndërmerr të gjitha hapat që të jetë në gjendje t’i përgjigjet çdo situate sfiduese, pra çdo problemi të mundshëm”, tha Vuçeviç në televizionin “Hepi”.

Ai shtoi se Serbia nuk mund të relaksohet, por se ajo mbron dialogun.

Ai tha se ushtria është e gatshme të zbatojë çdo urdhër të Vuçiçit, i cili është komandant i saj i përgjithshëm, duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë, “dhe askush nuk duhet të dyshojë për këtë”.

“Serbia është për dialog. Është më mirë të negociosh një mijë ditë, sesa të jesh në llogore një ditë”, tha Vuçeviç.

Ai paralajmëroi se kur Serbia flet për paqe dhe stabilitet, nuk do të thotë se është e dobët apo frikacake, sepse ushtria e saj është shumë herë më e fortë se sa ishte, por se vepron sipas urdhrave të kreut të shtetit dhe presidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re