Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Republikës së Turqisë, Fatih Dönmez, deklaroi se gazi të cilin Turqia e gjeti në Detin e Zi do të jetë i disponueshëm në tokë që në mars të vitit 2023.

Dönmez ishte i ftuar në panelin editorial të (AA) në Ankara, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve rreth temave aktuale.

Në fokus ishte anija turke e shpimit “Abdülhamid Han”, e cila ka lundruar nga porti i Mersinit dy ditë më parë dhe është nisur drejt pusit “Yörükler-1” në Detin Mesdhe, ku do të kryejë kërkime për hidrokarbure.

Ministri Dönmez kujtoi se në flotën energjetike turke janë katër anije të shpimit së bashku me anijen “Abdülhamid Han”.

“Ndonëse ka shumë karakteristika të ngjashme me anijet tona të tjera për shpim, ‘Abdülhamid Han’ do të jetë anija e parë e këtij lloji që përdorim. Janë pesë prej tyre në botë dhe mund të shpojnë në një thellësi prej 12.200 metrash”, sqaroi Dönmez.

Ai tha se anija e shpimit “Abdülhamid Han” do të kryejë kërkime në pusin “Yörükler-1” në Detin Mesdhe, 55 kilometra nga bregu i Mersinit.

“Para nesh është një periudhë prej 45 deri në 60 ditë. Gjatë kësaj kohe do të përfundojmë shpimet. Nëse zbulojmë, do ta ndajmë lajmin e mirë me popullin tonë”, tha Dönmez.

Duke folur edhe për shpimet në Detin e Zi, Dönmez konfirmoi se “gazi nga Deti i Zi do të jetë i disponueshëm në tokë në mars të vitit 2023”.

“Jemi duke krijuar një bazë energjetike 2.200 metra nën Detin e Zi. Ka përfunduar shtrimi i thellë i tubave 120 kilometra të gjatë, kanë mbetur edhe 50 kilometra”, shtoi Dönmez.

Ai theksoi se centrali bërthamor Akkuyu (NGS) është një nga mega projektet e Türkiye-s dhe se vendi i tij është gati të realizojë ëndrrën e tij 60-70-vjeçare.

“Nuk mund të lejojmë devijime nga kalendari i planifikuar i ndërtimit të termocentralit bërthamor Akkuyu”, tha Dönmez.

Ai po ashtu theksoi se Türkiye disponon me rezerva të mineralit bor i mjaftueshëm për tërë botën për 500 vjet.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re