Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov tha se vendimi lidhur me zgjatjen e marrëveshjes për dërgesat e drithit për 120 ditë është marrë në Istanbul.

Në një deklaratë nga media sociale, Kubrakov dha deklaratë lidhur me marrëveshjen për dërgesat e drithit të nënshkruar më 22 korrik mes Turqisë, Ukrainës, Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara (OKB).

Ai tha se marrëveshja është zgjatur për 120 ditë. “Vendimi është marrë në Istanbul. OKB-ja dhe Turqia do të mbeten garantuesit e zbatimit të marrëveshjes së drithit”, tha Kubrakov.

Më tej Kubrakov vuri në dukje se në kuadër të marrëveshjes, Ukraina ka eksportuar 11 milionë tonë të produkteve të saj të drithit në 38 vende.

“Por, kjo sasi nuk është e mjaftueshme dhe duhet të përdoret i gjithë potenciali eksportues i porteve në vend”, tha Kubrakov duke shtuar se “Partnerëve tanë u kemi propozuar që marrëveshja të zgjatet të paktën 1 vit dhe që kësaj t‘i përfshihet edhe porti Mykolaiv. Presim përgjigje”.

– “Me Erdoğan-in dhe Guterres-in morëm vendim kyç kundër krizës ushqimore”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në një deklaratë nga llogaria e tij në Twitter tha: “Marrëveshja e drithit do të zgjatet 120 ditë. Ukraina së bashku me presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mori një vendim kyç në luftën globale kundër krizës ushqimore”.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re