Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka shpallur datën 30 korrik, si datën e mbajtjes së zgjedhjeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik. Në një komunikim për mediat, Shahini shkruan se ka pasur një takim me rektorët e IAL, të cilët sipas saj i shprehën nevojën urgjente për zgjedhje në IAL, për të shkak të pamundësisë së vazhdimit të detyrës në kushtet kur u ka përfunduar mandati.

‘Sot zhvillova përsëri një takim me rektorët e IAL-ve publike, të cilët shprehen pamundësinë e vazhdimit të udhëheqjes së IAL-ve me mandat të përfunduar dhe sollën në vëmendje nevojën urgjente për zgjedhje në universitete.

Studentët, sidomos ata të viteve të fundit që diplomohen sivjet, më kanë shprehur gjithashtu shqetësimet e tyre për mungesën e shërbimeve nga ana e IAL-ve për shkak të përfundimit të mandateve të autoriteteve drejtuese.

Sipas raportimeve që IAL-të kanë paraqitur për prezencën e studentëve në ambientet e tyre, muaji korrik do të ketë një numër të madh studentësh të pranishëm në provime.

Gjithashtu, me heqjen e kufizimeve të transportit publik, studentët dhe pedagogët mund të udhëtojnë lirisht ditën e zgjedhjeve – gjithmonë duke pasur kujdes ruajtjen e distancave fizike dhe pajisjen me mjete mbrojtëse kundër COVID-19.

Javën që lamë pas, përfundoi edhe afati ligjor për gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Por, duke marrë parasysh rritjen e rasteve të infektimeve, është akoma e paqartë se si do të rifillojë puna nëpër IAL në vjeshtë. Kështu që, për arsye të zgjidhjes së shumë çështjeve të shkaktuara si pasojë e përfundimit të mandateve të autoriteteve drejtuese në IAL, me propozim të rektorëve të universiteteve publike shpallim datën e zgjedhjeve në IAL më 30 korrik, 2020.

Urdhri nr. 108, i datës 08.05.2020, që shtyu pa afat zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në IAL për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ngarkonte IAL-të të vijojnë me përgatitjet për zgjedhje dhe rektorët konfirmuan se të gjithë universitetet janë gati. Në këtë kuadër, ftoj studentët të ushtrojnë të drejtën e tyre për përfaqësim në strukturat drejtuese të universiteteve ku studiojnë.

Sot më shumë së kurrë, IAL-të duhen udhëhequr nga akademikë me integritet, të cilët kontribuojnë edhe me pjesën e tyre shumë të rëndësishme në jetësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të #PaktitPërUniversitetin.’

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re