Azerbajxhani ka deklaruar se rezoluta e ashtuquajtur e Senatit Francez që kërkon njohjen e Malësisë së Karabakut si një vend i pavarur është “e njëanshme” dhe “provokuese”.
“Para së gjithash, ne duam të vëmë në dukje se propozimi i rezolutës mbi ‘Nevojën e njohjes të Republikës së Malësisë së Karabakut’ të miratuar nga Senati Francez u paraqit nga një grup senatorësh haptas pro-armenë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit.
Ministria tha se armenët francezë përdorën konfliktin e Malësisë së Karabakut për qëllime zgjedhore, duke shtuar: “Miratimi i një rezolute plotësisht të njëanshme nga Senati mund të konsiderohet vetëm si një provokim”.
Megjithëse rezoluta e miratuar nga Senati i Francës nuk është ligjërisht e detyrueshme, ministria tha se ajo “hedh dyshime mbi neutralitetin” e vendit me rolin e saj që ka si ndërmjetësuese.
“Ai gjithashtu minon reputacionin e Francës si një vend ndërmjetës i drejtë në shoqërinë azerbajxhanase”, shtohet në deklaratë.
“Në vend të miratimit të rezolutave të njëanshme, angazhimi i Senatit Francez në aktivitete që i shërbejnë paqes, stabilitetit dhe përparimit në rajon do t’i përgjigjej interesave të Francës dhe do të çonte në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit”, theksoi ministria.
Më herët të mërkurën, Senati Francez miratoi rezolutën që bën thirrje për njohjen e të ashtuquajturës republikë Malësia e Karabakut.
Marrëdhëniet midis ish-republikave Sovjetike të Azerbajxhanit dhe Armenisë kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit dhe shtatë rajone fqinje.
Përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe përfunduan me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia gjashtë javë më vonë.
