Ministria e Brendshme në Gaza njoftoi se mjete të blinduara izraelite po depërtojnë thellë në veri dhe qendër të Gazës.

“Mjetet ushtarake izraelite po shihen në autostradën Salahuddin duke u përpjekur të lëvizin drejt perëndimit”, tha zëdhënësi i ministrisë Iyad al-Buzm për Anadolu, duke iu referuar një rruge që shtrihet në gjithë gjatësinë e Rripit të Gazës.

Sipas dëshmitarëve okularë, forcat izraelite lëvizën nëpër autostradë dhe në drejtim të perëndimit.

“Forcat izraelite gjithashtu hynë nga veriperëndimi i Gazës”, tha al-Buzm, duke shtuar: “Mjetet e blinduara tani mund të shihen në lagjen al-Karam në veri të qytetit të Gazës”.

Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e grupit palestinez Hamas më 7 tetor.

Më shumë se 10 mijë njerëz janë vrarë në konfliktin e Gazës, duke përfshirë 8.525 palestinezë dhe më shumë se 1.538 izraelitë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re