Anëtarja e Kryesisë së PD-së zyrtare, Marinela Ziu, përmes një deklarate për media, është shprehur se që prej datës 19 mars, qytetarët e kanë të pamundur të monitorojnë shpenzimet e qeverisë, pasi Ministria e Financave nuk publikon transaksionet e thesarit.

Fatkeqësisht, deklaron Ziu, transparenca është në ditët e saj më të errëta dhe se mungesa e saj në çdo rast është shoqëruar me një megaaferë korruptive që do t’i kushtojë miliardat e radhës xhepave të qytetarëve shqiptarë.

Deklarata:

Prej datës 19 mars, qytetarët më të varfër dhe më të vjedhur të Europës, faktuar kjo nga çdo raport nderkombetar, e kanë të pamundur të monitorojnë shpenzimet e qeverisë, pasi Ministria e Financave për të disatën herë dhe pa asnjë lajmërim, nuk publikon transaksionet e thesarit.

Listës së kontratave koncesionare e prokurimeve publike që nuk publikohen e Ligjeve e Vendime të Këshillit të Ministrave që publikohen me vonesë në Fletore Zyrtare, mjegullnajës e territ të informacionit me lejet e ndërtimit, investimet strategjike, ankandet, subvencionet, qiratë e pronave shtetërore e çdo kontrate tjetër publike, tashmë prej javësh i shtohen edhe transaksionet e thesarit.

Fatkeqësisht, transaparenca është në ditët e saj më të errëta edhe për faktin e mungesës së financimit të projekteve antikorrupsion si dritare informacioni e aksesueshme lehtësisht, duke kontribuar në monitorimin e shpenzimeve të qeverisë jo vetëm nga media e gazetarë por mbi të gjitha nga qytetarët shqiptarë.

Ҫfarë po kërkon të fshehë qeveria nëpërmjet mungesës së transparencës me transaksionet e thesarit.

Transaksione dhe rimbursime që duhet të mbahen jashtë vëmendjes së publikut apo mungesë parash në buxhetin e shtetit?!

Nga dita e saj e parë, ko qeveri ka thyer çdo rekord të mungesës së transparencës, e cila në çdo rast është shoqëruar me një megaaferë korruptive që do t’i kushtojë miliardat e radhës xhepave të qytetarëve shqiptarë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re