Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka aprovuar kërkesën e Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për lejim të hyrjes në Republikën e Kosovës të zyrtarit serb, Petar Petkoviq, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kërkesa e kësaj zyre drejtuar institucioneve kosovare për hyrjen e Petkoviqit është për sot dhe nesër, ndërsa MPJD e ka vlerësuar kërkesën si të bazuar në “Marrëveshjen për vizitat zyrtare të nënshkruar në Bruksel, më 2014”.
“MPJD e Republikës së Kosovës kërkon që gjatë kësaj vizite të respektohet protokolli dhe agjenda nga ana e Petkoviqit, si dhe të përmbahet nga deklaratat politike, gjuha nxitëse dhe nga retorikat kundër shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje, njoftimi i MPJD-së bën të ditur se mosrespektimi i agjendës dhe deklaratat politike kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës “do të ndikojnë në refuzimin e vizitave të tjera nga Serbia”.
Petar Petkoviq është drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nga tetori i vitit 2020. (AA)
