10 viktima, 44 persona të lënduar, e mes tyre, 15 me lëndime më të rënda.

Ky është bilanci i deritanishëm i aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci, atje ku një autobus me targa të Kosovës po përcillte drejt vendlindjes 67 pasagjerë.

Të dhënat janë konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, e cila dha këtë komunikatë në lidhje me ngjarjen:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.

MPJD-ja, do të njoftojë opinionin publik ne kohë reale me të dhënat e tjera të konfirmuara gjatë orëve në vazhdim lidhur me këtë ngjarje tragjike.

Si ndodhi aksidenti me 10 viktima në Kroaci! Në autobusin me targa të Kosovës kishte dhe fëmijë

Qeveria e Republikës së Kosovës, do të jetë e angazhuar në orët në vazhdim për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve të lënduar dhe për t’iu asistuar bashkëatdhetarëve dhe familjarëve të tyre në të gjitha procedurat e nevojshme.

MPJD-ja shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të bashkëatdhetarëve tanë, iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve.

Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlić Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve.

Çfarë tha ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli

Ambasadori i Kosovës në Kroaci Gëzim Kasapollim ka folur për median kroate gjatë vizitës së tij në spitalin rajonal në Slavonski Brod, atje ku janë të shtruar personat e lënduar nga aksidentit tragjik. Ambasadori ka shprehur ngushëllimet e tij, duke thënë se autobusi kishte mërgimtarë të Kosovës, që jetonin e punonin në Gjermani dhe që i ishin drejtuar vendlindjes për pushime.

“Këta janë të gjithë njerëz tanë që punojnë në Gjermani dhe që po vinin për pushime në Kosovë”

Më tutje ambasadori shtoi se falenderon qeverinë e Kroacisë për të gjithë ndihmën e gadishmërinë e treguar.

“Fatkeqësisht kemi ardhur për shkak të një aksidenti të tmerrshëm. Unë thjesht do të doja ta falënderoja Qeverinë e Republikës së Kroacisë dhe të gjithë autoritetet që na ndihmuan në këtë kohë. Unë vetëm mund të shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe t’u kërkoj atyre që të kenë mirëkuptim edhe për ne. Ne të gjithë do të jemi pranë tyre në këto kohë të vështira”, tha Kasapolli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re