Një nga mjekët e spitalit të Durrësit ka rezultuar pozitiv, i prekur me koronavirus dhe tashmë është në vetëizolim.

Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë sot, teksa ka njoftuar për numrin e rasteve të të prekurve në vendin tonë, qe ka arritur në 33 persona dhe me zgjerim të hartës së të infektuarve.

“Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës”- tha MSh në deklaratën për mediat.

Sipas saj, në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit.

Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re