Ndërkohë që numri i të prekurve me koronavirus është shtuar sot me gjashtë raste të reja, po aq është edhe numri i personave që e kanë mundur sëmundjen në 24 orët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot se “gjashtë raste janë të shëruar në 24 orët e fundit”, ndërkohë që gjendja në spitalin Infektiv vazhdon të mbetet e qëndrueshme.

“Situata në spitalin infektiv paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht po trajtohen 16 pacientë, ndërsa katër prej tyre janë në terapi intensive”-tha Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

Mësohet se nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike.

Nga fillimi i epidemisë rreth 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Fatkeqësisht 32 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me Covid19, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienen vetjake. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e Covid19 si kollë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje.

Nëse keni këto shenja telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.

Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko