Ministria e Shëndetësisë së Palestinës njoftoi se forcat izraelite në bastisjen e tyre në Jenin të Bregut Perëndimor të pushtuar kanë shënjestruar edhe një spital, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Shëndetësisë e Palestinës, Mai al-Kaila publikoi një deklaratë me shkrim në lidhje me ngjarjen.

Duke theksuar se forcat izraelite hapën zjarr ndaj spitalit shtetëror në Jenin, Al-Kaila dënoi “shënjestrimin dhe rrezikimin e jetëve të pacientëve nga forcat izraelite”.

Ajo tha se sipas informatës së marrë nga drejtori i spitalit shtetëror të Jeninit, Vissam Bakir, “plumbat e shkrepur nga forcat izraelite goditën dritaret e dhomës së kujdesit për fëmijët dhe të dhomës së mbledhjeve të mjekëve pediatër”.

Ministrja Al-Kaila theksoi se ky nuk është sulmi i parë ndaj spitaleve dhe personelit mjekësor. Ajo u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare “të ndërhyjnë për mbrojtjen e objekteve shëndetësore, të cilat ligji ndërkombëtar i garanton edhe në kohë lufte dhe konflikti”.

Ndërkaq ende nuk është dhënë asnjë deklaratë nga Izraeli për këtë temë.

Sot humbën jetën 2 palestinezë pasi forcat izraelite bastisën kampin e refugjatëve në Jenin. Thuhet se forcat izraelite nuk lejuan hyrjen e ambulancave në vendngjarje gjatë bastisjeve në kamp.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re