Moska pretendon se 101 shqiptarë kanë humbur jetën në luftë që nga 24 shkurti në Ukrainë.

Përmes publikimit të një liste, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se 150 shtetas nga Shqipëria dhe 156 shqiptarë nga Kosova kanë mbërritur në Ukrainë për të luftuar kundër ushtarëve rusë.

Kjo është hera e parë që Rusia publikon të dhëna për Shqipërinë dhe Kosovën, megjithëse në mënyrë të njëanshme, por edhe më herët Moska ka akuzuar shqiptarët se kanë shkuar në mënyrë masive në krah të ushtarëve ukrainas.

Ministri i Jashtëm rus është investuar personalisht në ngritjen e akuzave të pabaza ndaj shqiptarëve, sidomos atyre të Kosovës, duke pretenduar në mënyrë të rreme se po rekrutohen për të luftuar në Ukrainë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i mohoi kategorikisht pretendimet e kryediplomatit e po ashtu edhe kryeministri Rama.

Në shenjë proteste, u thirr ambasadori rus në Tiranë për të kërkuar përgënjeshtrimin e deklaratës së Lavrov.

Interesant është fakti që në listën e publikuar nga Moska, Kosova renditet njësoj si vendet e tjera edhe pse Rusia nuk e njeh ende si shtet.

Ndërsa nga fqinji verior i Kosovës, Serbia, asnjë shtetas nuk i ka tradhtuar marrëdhëniet strategjike Moskë-Beograd.

Nga vendet e rajonit tonë, Bosnja Hercegovina kryeson listën me 167 mercenarë të cilët kanë shkuar për të luftuar kundër rusëve.

79 maqedonas iu bashkuan gjithashtu fushatës së Legjionit të Mercenarëve të Huaj, pas thirrjes së Kievit.

Nga Mali i Zi kanë shkuar vetëm dy mercenarë.

Numrin më të lartë të mercenarëve e mban Polonia me rreth 1830 persona të cilët janë vetofruar për të luftuar ushtarët rusë.
Burimi: Ora News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re