Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, thotë se plani për
rifillimin e mësimit pas pezullimit prej koronavirusit, është për datën
23 mars, por nuk përjashton një shtyrje të re.

“Jemi në javën e dytë të zhvillimit të mësimit nga shtëpia dhe po
ecën më mirë se sa e kemi paramenduar. Rreth 80% e nxënësve janë tashmë
në kontakt direkt me mësuesit e tyre”, shprehet ministrja Besa Shahini
në një video-mesazh.

Ajo apelon për mësuesit që nuk kanë rënë ende në komunikim direkt me
nxënësit e tyre, që ta bëjnë sa më parë, në mënyrë që edhe ky grup
nxënësish të mos mbetet mbrapa me mësimet.

Shahini nënvizon se gjatë këtyre dy ditëve të fundit ka patur një
pyetje që është ngritur nga një numër i madh nxënësish e mësuesish, e
cila ka ta bëjë me vlerësimin:

“Ne po mendojmë dhe vlerësojmë se është e nevojshme që kur të
kthehemi në shkolla, të bëjmë një përsëritje të shpejtë, por ngaqë një
pjesë e madhe e mësuesve dhe nxënësve kanë rënë tashmë në kontakt dhe
kanë vijuar procesin normal të mësimit, por në një format tjetër, nuk do
të jetë e nevojshme që të përsërisim gjithçka me tempon e zakonshme të
përsëritjes”, shprehet ajo.

Më tej nënvizon se MASR është duke përgatitur një udhëzim në lidhje
me vlerësimin në qoftë se jemi të detyruar ta shtyjmë mësimin nga
shtëpia përtej datës 23 mars, duke paralajmëruar se provimet mund të
zhvillohen online.

“Një vendim që nuk është marrë ende, por nëse merret, ne do të jemi
të gatshëm që mësuesit t’i orientojmë drejt një vlerësimi që mund të
bëhet përmes rrjeteve sociale, i cili do t’i mundësojë mësuesve të
vlerësojnë nxënësit dhe njohuritë që kanë arritur deri në këtë pikë dhe
të mund të vijojnë pastaj mësimin e zakonshëm pas kthimit në shkollë.
Por, kjo është diçka që do t’ju informojmë më shumë ditët në vijim kur
të marrim vesh nëse do ta kemi të nevojshme ta shtyjmë procesin e
mësimit nga shtëpia përtej datës 23 mars”, thotë Shahini.

Në fund të video-mesazhit, Shahini përcjell edhe një kërkesë për të
gjithë mësuesit dhe prindërit që po punojnë tashmë përmes rrjeteve
sociale: “Duam që të na sillni modelet e punës suaj në mënyrë që të
krijojmë një udhëzues për të gjithë mësuesit me format më të mira dhe më
praktike të punës mes mësuesve dhe nxënësve”.

Ajo shton se disa mësues tashmë kanë komunikuar me ministrinë dhe kanë sjellë modelet që ata kanë përdorur.

“Kanë qenë shumë të vlefshme, i kemi ndarë me mësuesit e tjerë, por
menduam dhe besojmë që do të ketë më shumë modele se këto që na kanë
sjellë deri tani. Kështu që, ju bëjmë thirrje të na sillni sa më shumë
nga modelet tuaja të punës që në rast se kemi nevojë ta zgjasim procesin
e mësimit nga shtëpia të kemi sa më shumë shembuj praktikë për mësuesit
dhe për nxënësit që të vijojë mësimi sa më normalisht që është e
mundur”, deklaroi ministrja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re