Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se si vende të G7-tës nuk do të lejojnë që bota të shkojë drejt urisë për shkak të luftës që Rusia ka hapur në Ukrainë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e saj amerikan Antony Blinken, ministrja gjermane Annalena Baerbock tha: “Mesazhi ynë si G7 është i qartë. Nuk do të lejojmë që lufta e hapur nga Rusia të çojë botën drejt urisë”.

Duke theksuar se veprojnë së bashku me SHBA-në, Baerbock deklaroi: “Së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë, ne po ndjekim se si Rusia po lejon shpërthimin e çmimeve ushqimore duke destabilizuar të gjitha vendet me krizën e drithit që ka shkaktuar qëllimisht”.

Më tej ministrja gjermane vuri në dukje se vendet më të fuqishme të industrializuara në botë veprojnë me një përgjegjësi të posaçme kundër luftës që Rusia i ka hapur Ukrainës.

Ndërkaq, edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, ka kritikuar agresivitetin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe bllokimin e Rusisë për grurin dhe produktet e të tjera ushqimore që do të eksportohen nga Ukraina.

“Jemi bashkuar për të mbrojtur vlerat e përbashkëta. Jemi bashkuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe ligjin ndërkombëtar”, tha Blinken.

Më tej Blinken falenderoi Gjermaninë për kryesimin e takimit që u mbajt lidhur me sigurinë ushqimore.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re