Një ditë pas takimit në qeveri të kryeministrit, guvernatorit të bankës, kreut të shërbimit informativë lidhur me sulmet kibernetike në sistemin bankar, ministrja e financave, Delian Ibrahimaj, ka siguruar se ky sulm nuk ka cenuar asnjë të dhënë në banka.

 

Në një dalje publike, Ibrahimaj tha se sistemi bankarë ka mbrojtjen teknologjike më të lartë nga çdo sektorë tjetër në vend.

 

“Ka pasur njoftime, që sektori bankar ka qenë i sulmuar nga sulme kibernetike. Unë dua t’ju siguroj që ka në muaj, mbi 1 milion sulme, të cilat janë sulme të përditshme, qoftë në sistemin privat, qoftë në sektorin publik. Pra, tashmë lufta kibernetike është një luftë e cila është e prekshme, e cila prek çdo sektor, publik dhe privat, infrastrukturë kritike dhe jokritike. Banka në fjalë ka bërë komunikimet e saj dhe në bazë të komunikimeve që kemi pasur me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, nuk ka pasur prekje të llogarive të individëve. Dua tju them se bankat kanë mbrojtjen më të lartë- është shprehur Ibrahimaj.

 

Në konferencën për shtyp, ministrja u ndal edhe tek nisma ligjore për të tatuar bastet on line. Ky ligj sipas saj pritet te gjejë zbatim në 3 mujorin e parë të 2023.

 

“Ne kemi punuar intensivisht gjatë muajve të fundit me qëllim finalizimin e ndryshimeve ligjore në ligjin për lojërat e fatit. Me qëllim lejimin e basteve sportive ‘online’ duke pasur shumë kujdes të ruajmë ato kritere e parametra që kanë qenë të përcaktuara. Jemi në proces të finalizimit. Me nisjen e vitit të ri 2023, do të nisim procedurat e miratimit të këtij ligji. Në gjykimin tim, brenda 3-mujorit të parë të vitit 2023 ky ligj pritet të miratohet në parlament”, tha Ibrahimaj.

 

Viti 2022 parashikohet të mbyllet me një rritje ekonomik prej 3.7% sipas projeksioneve të qeverisë, rritje kjo me e larta në rajon. Ndërtimi bujqësia si dhe turizmi mbeten sektorë kryesorë që po japin ndikim në zgjerimin e ekonomisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re