Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi i është përgjigjur sot nga foltorja e parlamentit deklaratave të deputetes Albana Vokshi, të bëra dje pas seancës së tretë gjyqësore të padisë që ministrja i ka bërë deputetes për shpifje.

 

“Znj. Vokshi dje bëri një deklaratë para gjykatës, duke vazhduar të kryejë të njëjtën vepër penale, për të cilën e kam thirrur në atë gjykatë. Dje nuk munda t’i përgjigjem sepse isha e ftuar në Samitin e Arsimit në Paris, një event madhështor ku morën pjesë ministrat e 145 vendeve të botës,” – tha znj. Kushi.

 

Kushi tha se në datën 8 prill ngriti një padi ndaj znj. Vokshi ku e akuzoi për shpifje. Dje nuk ishte seanca e parë, siç znj. Vokshi thoshte në deklaratë, por ishte seanca e tretë.

 

“Kam 1 muaj që e pres në gjykatë. Herën e parë nuk më erdhe, edhe herën e dytë që isha aty prapë nuk më erdhe me pretendimin që nuk kishe marrë njoftim. Dje për shkak të angazhimit në samitin e Parisit u përfaqësova me avokat, ndërkohë që edhe në dy seancat e para nuk ishit e përfaqësuar nga dikush,” – u shpreh ministrja.

 

Megjithatë, Kushi tha se nuk doli të bëjë shou politik e publik, por po pret vendimin.“Kam bërë padinë, ju kam akuzuar për shpifje dhe po pres e qetë vendimin e gjykatës, sepse unë i besoj drejtësisë, ndërkohë që ju akuzat i hidhni në facebook. Çojini në gjykatë, dhe pastaj bëni shou me vendimin e gjykatës, por jo pa fakte,” – tha ministrja.

Më tej Kushi e ftoi Vokshin të presë qetësisht vendimin e gjykatës, të gjejë argumenta për tu mbrojtur në gjykatë dhe pastaj mund të bëjmë përsëri debate politike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re